Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka përjashtuar kategorikisht dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme, ndërsa u ka bërë thirrje studentëve shqiptarë të ndjekin shembullin e protestuesve në Serbi.

Në një deklaratë për mediat, Balla theksoi se qeveria mbetet e hapur për dialog me studentët, por përjashtoi çdo mundësi negociatash me personat që, sipas tij, përfshihen në akte dhune gjatë protestave.

“Dorëheqja e Ramës s’ka për të ndodhur kurrë. Dorëheqje nuk ka. Dialog pa dyshim, përjashto seksionin e dhunës së PD”, deklaroi Balla.

Duke iu referuar zhvillimeve politike në Serbi dhe humbjes së Aleksandër Vuçiçit në zgjedhje, kreu i grupit socialist tha se studentët shqiptarë duhet të marrin shembull nga lëvizja studentore serbe, e cila, sipas tij, e konkretizoi protestën përmes votës.

“Studentët të marrin shembull nga studentët në Serbi. Kishte një protestë, zgjati për tre vite me radhë, në fund u konkretizua me votë. Shkuan në zgjedhje. Vota është ajo që përcakton dhe në demokraci harrojeni se mund të ketë ndryshim pushteti pa votë”, u shpreh ai.

Balla përsëriti se kryeministri Rama ka ofruar dialog për shqetësimet e studentëve, duke theksuar se qeveria është e gatshme të shqyrtojë kërkesat e tyre.

Ai përmendi edhe politikat mbështetëse për studentët ekselentë dhe ata që vijnë nga familje në nevojë, të cilët, sipas tij, përjashtohen nga tarifat dhe përfitojnë mbështetje financiare prej 100 eurosh nga shteti.

Deklaratat e Ballës vijnë në një moment kur protestat në Shqipëri vijojnë të shoqërohen me tensione dhe kërkesa për largimin e qeverisë, ndërsa zhvillimet në Serbi janë kthyer në një pikë referimi për debatin politik shqiptar.

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu