Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi janë shoqëruar me incidente të dhunshme. Një grup personash të maskuar, të veshur me të zeza dhe të armatosur me shufra metalike e flakadanë, kanë sulmuar disa të rinj pranë një qendre votimi në qytetin e Pançevës.

Ngjarja ka ndodhur këtë të diel, më 25 tetor, në afërsi të Shkollës Bujqësore, ku ishte vendosur një nga qendrat e votimit.

Pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë disa burra me kapuçë dhe maska në fytyrë, të cilët godasin një grup të rinjsh në rrugën pranë shkollës.

Në video shihet edhe një nga të sulmuarit me fytyrën e gjakosur, ndërsa raportimet e mediave serbe flasin për përdorimin e shufrave metalike, shkopinjve dhe mjeteve piroteknike gjatë përplasjes.

Sipas portalit serb Mašina, personat e sulmuar ishin përfaqësues të Listës Studentore, lëvizjes që po sfidon Partinë Progresive Serbe të Aleksandar Vuçiçit në zgjedhjet e sotme.

Policia ka mbërritur në vendngjarje, por një detaj ka tërhequr vëmendjen. Sipas informacioneve të publikuara nga televizioni N1, incidenti fillimisht nuk ishte denoncuar zyrtarisht dhe efektivët kishin marrë dijeni për të nga raportimet mediatike.

Policia e Pançevës ka konfirmuar më pas se ka marrë në pyetje persona të dëmtuar dhe dëshmitarë të mundshëm, ndërsa të plagosurit janë orientuar drejt spitalit për trajtim mjekësor. Për ngjarjen do të informohet edhe prokuroria kompetente.

Ende nuk ka informacion të konfirmuar për identitetin e autorëve apo për arrestime të mundshme.

Sulmi ndodh në një moment vendimtar politik për Serbinë, ku rreth 6.45 milionë qytetarë janë thirrur të zgjedhin parlamentin e ri me 250 deputetë.

Përballja kryesore zhvillohet mes kampit politik të Aleksandar Vuçiçit dhe Listës Studentore, e cila ka lindur nga protestat masive kundër korrupsionit dhe qeverisë.

Gjatë ditës së votimit janë raportuar edhe incidente të tjera në disa zona të vendit, përfshirë përplasje fizike, dyshime për blerje votash dhe probleme në administrimin e procesit zgjedhor.

Sipas organizatës CeSID, deri në orën 11:00 ishin evidentuar 120 parregullsi të ndryshme gjatë procesit.

Autoritetet dhe vëzhguesit po ndjekin zhvillimet, ndërsa zgjedhjet e 25 tetorit konsiderohen një përballje e rëndësishme për të ardhmen politike të Serbisë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu