Protestues në Serbi me parrullën "I erdhi fundi"

Një det njerëzish ka mbushur qendrën e Beogradit, ku rreth 150 mijë qytetarë janë bashkuar në tubimin përmbyllës të lëvizjes studentore, vetëm tri ditë përpara zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Serbi.

Sheshi Slavija dhe rrugët përreth u mbushën me flamuj serbë, pankarta, drita telefonash dhe thirrje për ndryshim politik. Tubimi i 22 tetorit shënoi një nga mobilizimet më të mëdha të studentëve, të cilët synojnë t’i japin fund qeverisjes mbi 14-vjeçare të Partisë Progresive Serbe (SNS), të udhëhequr nga Aleksandar Vuçiç.

Sipas vlerësimit të organizatës së pavarur për monitorimin e tubimeve publike, rreth 150 mijë persona morën pjesë në manifestimin masiv në kryeqytetin serb.

Në qendër të protestës ishte lëvizja “Lista Studentore – Studentët Fitojnë”, e cila ka paraqitur 250 kandidatë për zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit.

Mes thirrjeve të pjesëmarrësve, një prej figurave të njohura të lëvizjes, Arsa Stojanoviç, iu drejtua turmës me një mesazh kundër përqendrimit të pushtetit politik.

“Serbia nuk duhet të vuajë për shkak të një kulti të ndërtuar rreth një personaliteti të vetëm tiranik! Serbia nuk është vetëm një njeri. Serbia jeni të gjithë ju, Serbia është populli i saj! Ju jeni Serbia, vëllezër dhe motra!”, deklaroi Stojanoviç.

Edhe kandidatët e mbështetur nga studentët shprehën bindjen për rëndësinë e votimit të së dielës.

“Një gjë është përtej çdo diskutimi: më 25 tetor fiton Serbia! Dhe a e dini pse? Sepse kush fiton? Janë studentët ata që fitojnë!”, u shpreh kandidati Ilija Srdanoviç.

Ndërsa Jugoslav Gashiç, një tjetër kandidat i Listës Studentore, e përshkroi votimin si fillimin e një etape të re politike.

“Të dielën nuk po kthejmë thjesht një faqe dhe as po nisim një kapitull të ri. Ne po shkruajmë një libër. Pas tubimit të kësaj mbrëmjeje hyjmë në heshtjen zgjedhore dhe nga kjo heshtje ecim drejt lirisë!”, deklaroi ai.

Tubimi u zhvillua në një atmosferë me këngë, brohoritje dhe flamuj kombëtarë. Në pamjet e publikuara nga agjencia AFP shihen mijëra qytetarë që ngrenë tri gishta, simbol i përdorur nga Lista Studentore gjatë fushatës.

Lëvizja studentore në Serbi mori përmasa kombëtare pas tragjedisë së nëntorit 2024 në Novi Sad, ku shembja e një strehe betoni në stacionin hekurudhor shkaktoi vdekjen e 16 personave.

Ngjarja nxiti protesta kundër korrupsionit dhe kërkesa për përgjegjësi institucionale, të cilat gradualisht u shndërruan në një mobilizim politik për zgjedhje të parakohshme.

Në anën tjetër, Aleksandar Vuçiç, i cili dha dorëheqjen nga posti i presidentit për të kandiduar për kryeministër, zhvilloi tubimin e tij elektoral në Beograd.

Ai ka akuzuar vazhdimisht lëvizjen studentore se mbështetet nga interesa të huaja dhe ka kërkuar që qytetarët të mbështesin Partinë Progresive Serbe.

Zgjedhjet e 25 tetorit zhvillohen në një atmosferë polarizimi të fortë politik. Organizata të shoqërisë civile kanë ngritur shqetësime për intimidim, arrestime, dhunë gjatë fushatës dhe përdorim të burimeve publike.

Përballja mes Listës Studentore dhe partisë së Vuçiçit është kthyer në një nga zhvillimet kryesore politike në Ballkan, ndërsa rezultati i votimit do të përcaktojë përbërjen e parlamentit të ri serb.

 

 

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu