Seanca plenare e Kuvendit ka nisur me tensione këtë të enjte, 22 tetor. Deputetët e Partisë Demokratike kanë bllokuar foltoren, duke kërkuar që Parlamenti të diskutojë për protestat studentore. Situata është përshkallëzuar kur Flamur Noka i ka hequr me forcë mikrofonin Taulant Ballës dhe ka hedhur letra drejt tij, duke detyruar kryetarin e Kuvendit, Niko Peleshi, të ndërpresë seancën.

Përplasjet nisën gjatë leximit të rendit të ditës nga kryetari i Kuvendit. Deputetët demokratë u grumbulluan pranë foltores, duke kundërshtuar vijimin normal të punimeve.

“Sot ka vetëm një pikë në rend dite”, deklaruan përfaqësuesit e opozitës, duke iu referuar protestave që zhvillohen prej dhjetë ditësh në Tiranë.

Në emër të grupit parlamentar të PD-së, Belind Këlliçi lexoi një deklaratë ku dënohej dhuna e pretenduar e policisë ndaj protestuesve dhe kërkohej një zgjidhje politike.

“S’mund të ketë debat parlamentar para një krize shoqërore. Studentët në rrugë, deputetët e opozitës janë krah tyre”, thuhej në deklaratë.

Deputetët demokratë mbanin gjithashtu fotografi të protestuesve të lënduar.

Noka ndërhyn gjatë fjalës së Ballës

Tensionet u përshkallëzuan në momentin kur kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, mori fjalën për të paraqitur qëndrimin e mazhorancës.

Deputeti demokrat Flamur Noka iu afrua, i hoqi me forcë mikrofonin nga tavolina dhe hodhi letra në drejtim të tij.

Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, i tërhoqi vërejtje Nokës dhe vendosi ndërprerjen e seancës për dhjetë minuta.

Kuvendi i rrethuar nga policia, pritet protestë

Ndërkohë, masa të shtuara sigurie janë marrë jashtë Parlamentit, ku është paralajmëruar një tjetër protestë.

Policia ka vendosur barriera metalike dhe kordon sigurie nga zona e Xhamisë së Namazgjasë deri pranë hyrjes së Kuvendit.

Në pjesën e pasme të godinës është pozicionuar edhe një automjet zjarrfikës, në gatishmëri për incidente të mundshme, pas përdorimit të bombave molotov gjatë protestave të ditëve të mëparshme.

Në rendin e ditës ishte parashikuar edhe një interpelancë urgjente me ministrin e Brendshëm, Ervin Demo, e kërkuar nga opozita për veprimet e policisë gjatë protestave.

Seanca përfshinte gjithashtu shqyrtimin e disa projektligjeve dhe çështjeve të tjera parlamentare, por nisja e punimeve u ndërpre nga përplasjet mes deputetëve.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu