
Policia e Tiranës ka dhënë informacionin e parë zyrtar për vrasjen e ndodhur mbrëmjen e 20 tetorit në kryeqytet. Viktima është identifikuar si Ismet Habili dhe është gjetur pa shenja jete brenda një automjeti tip “Volvo”, në rrugën “Mihal Popi”, në bllokun “1 Maji”. Dyshohet se ai është vrarë me armë zjarri.
Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 20:20, Salla Operative e Policisë së Tiranës ka marrë një telefonatë për një automjet të aksidentuar.
Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e policisë kanë mbërritur në vendngjarje, ku kanë konstatuar brenda automjetit trupin e pajetë të shtetasit I. H.
Nga verifikimet paraprake, policia dyshon se viktima është qëlluar me armë zjarri.
Fillimisht, ngjarja ishte raportuar në media si një atentat ndaj një automjeti në lëvizje në zonën e Komunës së Parisit. Megjithatë, njoftimi zyrtar i policisë identifikon automjetin si “Volvo” dhe nuk konfirmon ende dinamikën e të shtënave.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po kryen veprimet procedurale për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Ende nuk ka informacion zyrtar për autorët e dyshuar apo motivin e vrasjes.






