
Franca ka vendosur orën policore në Paris dhe disa qytete të tjera, pas protestave masive të së shtunës që u shoqëruan me përplasje të dhunshme, sulme ndaj institucioneve dhe grabitje dyqanesh. Mbi gjysmë milioni qytetarë morën pjesë në demonstrata, ndërsa më shumë se 2 mijë persona u ndaluan nga policia.
Masat e jashtëzakonshme hynë në fuqi mbrëmjen e së hënës, 19 tetor, dhe përfshijnë zona të caktuara të Parisit, Lilës, Lionit dhe Nicës. Autoritetet franceze sqaruan se nuk bëhet fjalë për shtetrrethim kombëtar, por për kufizime të përkohshme dhe të pjesshme të lëvizjes.
Në Paris, ora policore u vendos në zonat Place de la République dhe Les Halles deri në orën 06:00 të mëngjesit të së martës. Banorët, tregtarët dhe punonjësit e shërbimeve publike përjashtohen nga kufizimet.
Autoritetet ndaluan gjithashtu demonstratat nga ora 20:00 deri në 06:00 pranë Bastijës, Pallatit Élysée, Asamblesë Kombëtare dhe Senatit.
Në Lion, ora policore u vendos nga ora 21:00 deri në 06:00, ndërsa u ndaluan të gjitha demonstratat dhe grumbullimet protestuese.
Në Nicë, kufizimet do të zgjasin deri më 26 tetor dhe vlejnë vetëm për të miturit në disa zona të qytetit.
Masa të ngjashme u vendosën edhe në Lilë, Douai, Wattignies dhe Denain, ndërsa në Bordo ora policore për të miturit e pashoqëruar do të zbatohet nga 20 deri më 26 tetor, gjatë orëve 22:00–07:00.
Vendimet pasuan një mbledhje urgjente të qeverisë franceze, pasi autoritetet pranuan se kishin humbur kontrollin e situatës gjatë protestave të së shtunës.
Ministri i Brendshëm Laurent Nuñez mori përgjegjësinë për menaxhimin e protestave, duke pranuar se policia dhe shërbimet e inteligjencës kishin nënvlerësuar numrin e pjesëmarrësve.
Kryeministri Sébastien Lecornu paralajmëroi shtimin e forcave të policisë dhe premtoi fonde për bizneset e dëmtuara. Ai ka thirrur gjithashtu një takim me sindikatat të mërkurën në selinë e qeverisë franceze.
Protestat, të nisura disa javë më parë nga studentët kundër kushteve në sistemin arsimor, janë shndërruar në një lëvizje më të gjerë kundërshtimi. Në demonstratat e fundit morën pjesë sindikata, parti politike dhe përfaqësues të lëvizjes së njohur si “Jelekët e Verdhë”.
Në disa qytete, protestuesit u përplasën me policinë, sulmuan ndërtesa publike, u vunë flakën objekteve dhe grabitën dyqane e supermarkete. Sipas raportimit të gazetës italiane Il Post, mijëra persona u plagosën gjatë trazirave.
Qeveria franceze synon të rikthejë rendin përmes kufizimeve të përkohshme, ndërsa vendi përballet me një nga valët më të mëdha të protestave të muajve të fundit.






