Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë deklarojnë se nuk janë konsultuar për nismën që synon ndryshimin e ligjit mbi të cilin funksionon Gjykata Speciale, ndërsa në Prishtinë PDK-ja po shton presionin për procedimin sa më të shpejtë të ndryshimeve.

“Nuk jemi konsultuar”, është përgjigjja e Dhomave të Specializuara, të cilat kanë bërë të ditur gjithashtu se nuk komentojnë iniciativa politike.

Nisma për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, e propozuar nga Partia Demokratike e Kosovës, ndodhet aktualisht për shqyrtim në zyrat ligjore të Qeverisë së Kosovës.

Ndryshimet e propozuara parashikojnë, ndër të tjera, që dënimi maksimal që mund të shqiptohet të jetë 15 vjet burg dhe që personat e dënuar nga Specialja të mund t’i nënshtrohen faljes presidenciale.

Zhvillimi vjen pas dënimit më 16 shtator të katër ish-krerëve të UÇK-së, vendim që shkaktoi kundërshtime politike dhe protesta në Kosovë.

Ndërkohë, PDK-ja ka ashpërsuar qëndrimin duke e vendosur ndryshimin e ligjit si kusht për pjesëmarrjen e saj në punën e komisioneve parlamentare.

Deputetët e PDK-së u larguan nga mbledhja e Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë menjëherë pas konstituimit të tij.

Deputetja Besa Kabashi-Ramaj deklaroi se, pavarësisht rëndësisë së funksionalizimit të institucioneve, për PDK-në procedimi i ndryshimeve të Ligjit për Specialen është aktualisht çështja prioritare.

Edhe deputeti Rrahman Rama paralajmëroi se PDK-ja nuk do të marrë pjesë në mbledhjet e komisioneve të tjera derisa projektligji të procedohet.

“Për ne është prioritet mbi prioritetet. Nuk do të marrim pjesë në asnjë komision pa u kryer ky ligj”, deklaroi Rama.

PDK-ja pret që Qeveria ta procedojë nismën brenda kësaj jave. Sipas përfaqësuesve të saj, çështja e ligjit duhet të trajtohet përpara diskutimeve të tjera politike, përfshirë ato për zgjedhjen e presidentit.

Partia kërkon gjithashtu mbikëqyrje të procesit dhe përkrahje financiare lidhur me çështjet e Dhomave të Specializuara.

Për miratimin e ndryshimeve, nisma duhet të kalojë procedurat parlamentare, ndërsa qëndrimi i Dhomave të Specializuara e bën të qartë se institucioni në Hagë nuk ka qenë pjesë e konsultimeve për hartimin e saj.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu