
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se Këshilli i Europës nuk ka miratuar, sugjeruar apo hartuar paketën e ndryshimeve në Kodin e Procedurës Penale të prezantuar nga qeveria.
Berisha zhvilloi në Strasburg një takim me Sekretaren e Përgjithshme të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Despina Chatzivassiliou, ku tha se ngriti shqetësimet e opozitës për ndryshimet e propozuara.
Sipas kreut të PD-së, paketa synon të kufizojë përdorimin si prova të materialeve të gjetura në telefonat celularë dhe pajisje të tjera elektronike, duke ndikuar, sipas tij, edhe në hetimet për korrupsionin dhe krimin e organizuar.
Berisha pretendoi se ndryshimet po bëhen për të krijuar një “mburojë” për kryeministrin Edi Rama, familjarët dhe anëtarët e qeverisë së tij.
“Edi Rama kërkon me çdo kusht të zhvlerësojë provat me ligj, të zhvlerësojë provat që janë të gjetura në aparatet celulare”, deklaroi Berisha pas takimit.
Kreu i opozitës tha se i kërkoi Sekretares së Përgjithshme që paketa të mos votohet në formën e propozuar dhe t’i dërgohet Komisionit të Venecias për ekspertizë.
Sipas Berishës, gjatë takimit ai ngriti gjithashtu pretendimin se ndryshimet mund të ndikojnë në luftën kundër korrupsionit dhe kriminalitetit, si dhe në ndjekjen e veprave penale zgjedhore.
Pika kryesore e deklaratës së tij lidhej me qëndrimin që, sipas Berishës, mori gjatë takimit Sekretarja e Përgjithshme e Asamblesë Parlamentare.
“Sekretarja e Përgjithshme më siguroi se Këshilli i Europës, ekspertët e tij, nuk e kanë miratuar këtë paketë dhe kjo nuk është një paketë e sugjeruar apo e miratuar apo e hartuar nga specialistët e Këshillit të Europës”, deklaroi Berisha.
Ai bëri të ditur se i ka kërkuar palës europiane që ndryshimet t’i nënshtrohen ekspertizës së Komisionit të Venecias, duke argumentuar se Shqipëria, sipas tij, nuk ka nevojë për zbutjen e legjislacionit në luftën kundër korrupsionit dhe krimit.
Berisha tha se gjatë takimit diskutoi gjithashtu për situatën politike dhe institucionale në Shqipëri dhe se dialogu me institucionet dhe departamentet e tjera të Këshillit të Europës do të vazhdojë.






