
Godina e njohur si “Tajvani”, në Parkun Rinia, pritet t’i nënshtrohet një transformimi të ri. Pesë studio ndërkombëtare të arkitekturës kanë paraqitur projektet e tyre në konkursin për zhvillimin e “Tirana Fountain Tower”, një investim privat që pritet të ndryshojë pamjen e kësaj zone në qendër të kryeqytetit.
Kryeministri Edi Rama, gjatë prezantimit të projekteve, tha se ndërhyrja realizohet në një pronë private, por për shkak të pozicionit në zemër të Parkut Rinia do të ketë ndikim edhe në hapësirën përreth.
Sipas Ramës, godina aktuale ka nevojë të rindërtohet dhe konkursi ndërkombëtar synon të përcaktojë mënyrën se si do të rikonceptohet i gjithë kompleksi.
Kryeministri bëri edhe një historik të “Tajvanit”, duke u kthyer te vitet e komunizmit, kur, sipas tij, hapësirat ku qytetarët mund të uleshin e të kalonin kohën e lirë ishin të pakta.
“E mbaj mend mirë, në atë kohë në Shqipëri koha e lirë kalohej në këmbë”, tha Rama, duke shtuar me ironi se “ndenjja ulur me miqtë ishte një kërcënim për stabilitetin e regjimit”.
Ai kujtoi se struktura e ngritur në Parkun Rinia mori nga qytetarët emrin “Tajvani” për shkak të arkitekturës së saj, ndërsa pas viteve ’90 objekti kaloi nëpër privatizime dhe transformime të tjera.
Tashmë, sipas kryeministrit, Tirana ka nevoja dhe ambicie shumë më të mëdha dhe ndërhyrja e re duhet t’i përgjigjet zhvillimit të qytetit.
Në garën ndërkombëtare janë përzgjedhur pesë studio: Barozzi Veiga nga Spanja, BIG – Bjarke Ingels Group dhe Cobe nga Danimarka, si dhe l’AUC dhe JDSA – Julien De Smedt Architects nga Franca.
Projekti fitues do të përcaktojë pamjen e re të një prej pikave më të njohura të qendrës së Tiranës.



