Kompozitori Ardian Hila është ftuar të dëshmojë në Policinë e Tiranës lidhur me videot me përmbajtje seksuale, të cilat dyshohet se janë filmuar prej tij dhe më pas janë shpërndarë në internet nga persona ende të paidentifikuar.

Hila është kontaktuar mbrëmjen e djeshme nga një hetues i njësisë “C” dhe i është kërkuar të paraqitet në Drejtorinë e Policisë së Tiranës për të dhënë dëshmi në cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen.

Sipas të dhënave, kompozitori i ka komunikuar hetuesit se ndodhej në gjendje të rënduar psikologjike për shkak të skandalit dhe se nuk ishte në gjendje të paraqitej në polici.

Hila ka pretenduar gjithashtu se kamera e tij ishte hakeruar nga persona ende të panjohur për të dhe se materialet kishin përfunduar në internet pa dijeninë e tij.

Pas mosparaqitjes, oficerët kanë kërkuar që një patrullë policie të shkonte në banesën e Hilës në kryeqytet për ta shoqëruar në komisariat. Por kur efektivët kanë mbërritur në adresë, nuk kanë gjetur askënd në banesë dhe janë larguar.

Policia e Tiranës ka nisur hetime kryesisht për katër vepra penale lidhur me publikimin dhe qarkullimin e videove intime.

Hetimet pritet të përcaktojnë si janë realizuar regjistrimet, nëse personat e filmuar kishin dijeni për to, si janë siguruar materialet nga persona të tretë dhe në çfarë mënyre kanë përfunduar më pas në internet.

Në këtë fazë bëhet fjalë për dyshime nën hetim dhe përgjegjësitë penale ende nuk janë përcaktuar.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu