
Përplasja mes qeverisë dhe sistemit të drejtësisë për pagat e magjistratëve ka përfunduar në SPAK.
Drejtues të gjykatave, si dhe përfaqësues të shoqatave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, kanë kallëzuar penalisht ministrin e Financave Petrit Malaj, Sekretarin e Përgjithshëm të ministrisë Gentian Keri dhe 14 drejtues të degëve të Thesarit në rrethe.
Në kallëzim ngrihen pretendime për veprat penale “shpërdorim detyre”, “pengim të ekzekutimit të vendimeve të gjykatës” dhe “mosekzekutim pa shkaqe të përligjura të vendimit të gjykatës”.
Sipas kallëzuesve, bllokimi i pagave është bërë pas një urdhri të Ministrisë së Financave drejtuar degëve të Thesarit ku ndodhen institucionet e drejtësisë.
Në qendër të kallëzimit është ministri Petrit Malaj, për të cilin gjyqtarët pretendojnë se ka shprehur vullnetin për të mos lejuar zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pagat.
Kallëzuesit i referohen edhe një komunikimi të Ministrisë së Financave me KLGJ-në dhe KLP-në, ku argumentohej se ndryshimi i pagave duhet të kalojë përmes Kuvendit.
Për Sekretarin e Përgjithshëm Gentian Keri kërkohet hetim për “pengim të ekzekutimit të vendimit të gjykatës”. Sipas kallëzimit, ai u ka kërkuar degëve të Thesarit përmes emailit të mos kalojnë pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke prekur edhe administratën gjyqësore.
Edhe 14 drejtuesit e degëve të Thesarit janë përfshirë në kallëzim. Magjistratët pretendojnë se ata kanë refuzuar autorizimin e pagesave, megjithëse gjykatat dhe prokuroritë kishin paraqitur listëpagesat dhe dispononin fondet përkatëse.
Në SPAK kërkohet administrimi i dokumenteve që lidhen me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, vendimet e KLGJ-së dhe KLP-së, korrespondenca e Ministrisë së Financave me Thesarin, si dhe gjurmët elektronike të veprimeve të kryera në sistem.
Pas kallëzimit reagoi edhe kryeministri Edi Rama, i cili tha se në të duhet të ishin përfshirë edhe ai dhe ministri i Drejtësisë Toni Gogu.
“Kallëzimi penal i gjykatësve për Ministrin e Financave […] ka vetëm një mangësi: Mungon emri im dhe ai i ministrit të drejtësisë”, shkroi Rama.
Kryeministri tha se Malaj ishte konsultuar më parë me të dhe me ministrin Gogu për qëndrimin ndaj pagave të magjistratëve.
Sipas Ramës, edhe ekipet juridike të qeverisë kanë mbajtur qëndrimin se pushteti gjyqësor nuk mund të vendosë vetë për hapjen e Thesarit të Shtetit.
“Pushteti gjyqësor nuk mund të hapë derën e thesarit të shtetit. Vetëm parlamenti mund ta bëjë këtë”, shkroi ai.
Rama e cilësoi përplasjen si një “histori bajate të vetërritjes së rrogave” nga ajo që ai e quajti “kategoria më e mirëpaguar e Republikës së Shqipërisë”.
Kryeministri këmbënguli se pagat do të ndryshojnë vetëm me vendim të Kuvendit dhe në respekt të vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Edhe ministri i Drejtësisë Toni Gogu deklaroi se çështja është serioze dhe se duhet të trajtohet nga Parlamenti. Ai tha se në Kuvend është depozituar një nismë për zgjidhjen e ngërçit dhe shprehu bindjen se vendimi i Gjykatës Kushtetuese do të zbatohet.






