Një person është arrestuar dhe 15 të tjerë janë proceduar penalisht pas tubimit të zhvilluar më 9 shtator në Tiranë, gjatë të cilit u bllokuan disa nga kryqëzimet kryesore të kryeqytetit.
Sipas Policisë, në pranga është vënë E. Q., 33 vjeç, i dyshuar se gjatë tubimit ka dhunuar disa kalimtarë dhe ka dëmtuar automjetin e një qytetari.
Ndaj tij rëndojnë akuzat për “Shkatërrimin e pronës”, “Kundërshtimin e punonjësit të policisë së rendit publik”, “Organizimin dhe pjesëmarrjen në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Prishjen e qetësisë publike”.
Ndërkohë, 13 persona të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë për kundërshtim të punonjësve të policisë, pjesëmarrje në grumbullime të paligjshme dhe prishje të qetësisë publike.
Policia ka proceduar edhe dy persona të tjerë, A. Zh. dhe M. R., pasi gjatë kontrolleve fizike iu gjetën sasi të dyshuara të lëndës narkotike Cannabis Sativa. Përveç akuzave që lidhen me tubimin, ndaj tyre ka nisur procedimi edhe për “Prodhimin dhe shitjen e narkotikëve”.
Sipas njoftimit zyrtar, pjesëmarrësit u vendosën në disa prej kryqëzimeve kryesore, duke bllokuar qarkullimin dhe lëvizjen e automjeteve dhe qytetarëve në Rrugën e Elbasanit, te Ura pranë Drejtorisë së Policisë Tiranë, Ura e Vasil Shantos, 21 Dhjetori dhe Inxhinieria e Ndërtimit.
Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë për dokumentimin e plotë të ngjarjeve dhe identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në veprime të kundërligjshme.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu