
Shqipëria është futur në hartën e një prej tendencave të reja të turizmit luksoz botëror. Revista Forbes ka përfshirë Green Coast Hotel – MGallery Collection në një analizë kushtuar transformimit të hoteleve dhe resorteve, ku festa dhe argëtimi tradicional po i lënë gjithnjë e më shumë hapësirë mirëqenies, bukurisë dhe eksperiencave të lidhura me shëndetin.
Në artikullin me titull “How Party Hotels Around The World Are Pivoting Into Beauty And Wellness”, Forbes ndalet te disa destinacione në pjesë të ndryshme të botës që po investojnë në një koncept të ri luksi: jo vetëm plazh, pishina, restorante dhe jetë nate, por programe dhe ambiente që synojnë relaksimin, mirëqenien dhe një përvojë më të personalizuar për turistët.
Mes tyre është edhe Shqipëria.
Forbes veçon Green Coast Hotel – MGallery Collection, duke e përshkruar eksperiencën e resortit përmes terapisë me tinguj pranë detit, një SPA-je multisensore të shtrirë në pesë kate dhe ecjeve të guiduara në natyrë. Sipas revistës, këto shërbime e zgjerojnë eksperiencën përtej modelit tradicional të një resorti.
Green Coast vendoset në të njëjtën panoramë ndërkombëtare me destinacione të tjera luksoze që po orientohen drejt wellness-it. Mes shembujve të përmendur është TheLifeCo St. Lucia në Karaibe, i prezantuar si resorti i parë “medical wellness” në rajon, si dhe Hacienda AltaGracia, Auberge Collection në Kosta Rika, ku ndodhet Estée Lauder Skin Longevity Institute.
Në këtë mënyrë, turizmi i luksit po ndryshon formulë. Pushimet nuk lidhen më vetëm me argëtimin, por gjithnjë e më shumë me trajtimet holistike, jetëgjatësinë, kujdesin për lëkurën, natyrën dhe eksperiencat multisensore.
Për Shqipërinë, përfshirja e Green Coast në këtë panoramë të Forbes është një tjetër ekspozim ndërkombëtar për turizmin e nivelit të lartë në rivierën shqiptare. Green Coast Resort ndodhet në Palasë dhe kombinon hotelerinë me gastronominë, aktivitetet dhe shërbimet wellness.






