Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka lëshuar akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe biznesmenit Ron Yeffet, pas audioregjistrimeve të publikuara nga ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj.

Berisha pretendon se përmes kompanisë shtetërore “KAYO” është ngritur një skemë e paligjshme e tregtimit ndërkombëtar të armëve dhe paralajmëron se opozita do të kërkojë ngritjen urgjente të një Komisioni Hetimor Parlamentar.

Kreu i PD-së iu referua regjistrimit audio të publikuar nga Ahmetaj gjatë intervistës së tij me Çim Pekën, ku pretendohet se dëgjohet Ron Yeffet duke diskutuar për aktivitetin në industrinë e mbrojtjes.

“Një vend anëtar i NATO-s merret me trafikun e armëve”, deklaroi Berisha, i cili pretendon se Shqipëria është përdorur si vend eksportues për armë të destinuara drejt zonave të konfliktit, duke përmendur edhe Sudanin.

Sipas Berishës, aktiviteti i pretenduar është zhvilluar në shkelje të legjislacionit shqiptar dhe ndërkombëtar. Ai akuzoi drejtpërdrejt Ramën, Yeffet dhe ministrin e Mbrojtjes, Ermal Nufi, për përfshirje në atë që e cilësoi si një skemë kontrabande armësh.

Berisha u ndal edhe te një pjesë e audioregjistrimit, duke pretenduar se Yeffet është i vetëdijshëm se po kryen “punë të pista” dhe se vepron i ngarkuar nga qeveria.

“Opozita do të depozitojë urgjentisht në Kuvend kërkesën e saj për ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar për këtë megaskandal ndërkombëtar”, deklaroi kreu demokrat.

Akuzat e Berishës mbështeten në interpretimin e materialeve të publikuara nga Arben Ahmetaj. Nga materiali i paraqitur nuk rezulton një verifikim i pavarur që të provojë pretendimet për trafik ndërkombëtar armësh apo përgjegjësinë penale të personave të akuzuar.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu