Dhoma e Avokatisë ka vendosur të bojkotojë pa afat seancat gjyqësore në GJKKO, pas kundërshtimeve ndaj rregullores së re të Gjykatës së Posaçme.

Vendimi është marrë unanimisht nga Këshilli i Përgjithshëm i Dhomës së Avokatisë, ndërsa kreu i saj, Maks Haxhia, bëri të ditur se gjatë mbledhjes ishin diskutuar tre variante për mënyrën e reagimit.

Një prej propozimeve parashikonte bojkotimin e të gjitha gjykatave në vend, ndërsa një tjetër vetëm të GJKKO-së. Varianti i tretë kërkonte një përshkallëzim të protestës, duke përfshirë edhe avokatët e caktuar kryesisht dhe seancat për masat e sigurimit.

Pas diskutimeve, avokatët vendosën që bojkoti të kufizohet vetëm në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

“Përfundimisht, nëpërmjet votimit me unanimitet, Këshilli i Përgjithshëm votoi që të bojkotojë vetëm seancat në Gjykatën e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit”, deklaroi Haxhia.

Sipas tij, përpara marrjes së vendimit u vlerësuan pasojat që një bojkot i përgjithshëm mund të kishte mbi proceset gjyqësore, veçanërisht për personat që ndodhen nën masa sigurie apo janë duke vuajtur dënimin.

Përplasja mes avokatëve dhe GJKKO-së lidhet me rregulloren e re të gjykatës, e cila ka shkaktuar kundërshtime për kushtet dhe mënyrën e ushtrimit të profesionit të avokatit gjatë seancave.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu