Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, zhvilloi një komunikim me gazetarët pas mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, ku u ndal te çështja e pagave të magjistratëve, reforma administrative-territoriale dhe prioritetet e sesionit të ri parlamentar.

Lidhur me vendimin e Gjykatës Kushtetuese për pagat e magjistratëve, Balla sqaroi se më 31 korrik dy deputetë të Grupit Parlamentar të PS kanë depozituar projektligjin që adreson këtë çështje dhe se ai do të shqyrtohet me prioritet në Kuvend.

“Sot në Konferencën e Kryetarëve kemi diskutuar këtë çështje dhe kemi parashikuar në kalendarin e punimeve të Kuvendit shqyrtimin dhe miratimin e projektligjit më 17 shtator”, tha Balla.

Ai theksoi se bëhet fjalë për një ligj që kërkon shumicë të cilësuar dhe nuk mund të kalojë me procedurë të përshpejtuar, ndërsa shtoi se në vlerësimin e mazhorancës përgjegjësia është përmbushur me depozitimin e projektligjit brenda afatit të përcaktuar nga Gjykata Kushtetuese.

Në lidhje me reformën administrative-territoriale, Balla e cilësoi atë si një nga prioritetet kryesore të këtij sesioni parlamentar, duke theksuar se qëllimi mbetet përmirësimi i shërbimeve për qytetarët.

“Shpresoj që edhe opozita të reflektojë dhe të kemi konsensus për këtë reformë të rëndësishme”, u shpreh ai.

Duke folur për nismën “Prania Besnike”, Balla nënvizoi se deputeti nuk ka detyrë më të rëndësishme sesa të dëgjojë qytetarët dhe të adresojë shqetësimet e tyre përmes institucioneve.

“Çdo të premte në orën 17:00 deputetët e Partisë Socialiste do të jenë në takime të drejtpërdrejta me qytetarët. Ky është një angazhim afatgjatë për të forcuar komunikimin dhe për të qenë më pranë njerëzve”, deklaroi Balla.

I pyetur për kërkesat e opozitës lidhur me çështjen Ron Jefet, kreu i Grupit Parlamentar të PS tha se deri më tani nuk ka mbërritur asnjë kërkesë zyrtare për komision hetimor në Konferencën e Kryetarëve dhe se çdo kërkesë do të trajtohet sipas procedurave institucionale.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu