Motra e 37-vjeçares shtatzënë, Marjana Karolina Bunaj, e cila humbi jetën teksa po transportohej nga Pogradeci drejt Tiranës, ka ngritur pikëpyetje të forta mbi mënyrën se si u menaxhua urgjenca mjekësore.

Në emisionin “Me Zemër të Hapur”, ajo tregoi se e motra e kishte telefonuar rreth mesditës, pasi kishte dhimbje të forta barku. Familjarët e dërguan menjëherë në maternitetin e Pogradecit.

Sipas rrëfimit të saj, pas ekzaminimeve mjekja konstatoi hemorragji të brendshme, ndërsa parametrat e foshnjës në atë moment rezultonin të mirë.

“Kur erdha poshtë, doktoresha tha se bebi është mirë. Kur i bëri eko tjetër, tha se ka hemorragji të brendshme. Tha duhet helikopter. Ishte shumë e shqetësuar”, rrëfeu motra e 37-vjeçares.

Ajo pretendon se mjekja kërkoi edhe praninë e një kirurgu dhe e telefonoi atë, por kirurgu nuk mbërriti. Sipas saj, më pas nisi edhe diskutimi se kush duhej ta shoqëronte pacienten gjatë transferimit.

Familjarja thotë se në maternitet kishin mbërritur rreth orës 12:10, ndërsa ambulanca drejt Tiranës u nis vetëm rreth orës 16:00–16:20.

“Ambulanca është gati, por po presim edhe një infermier”, thotë ajo se iu komunikua gjatë pritjes.

Motra e viktimës pretendon se një ndërhyrje kirurgjikale e menjëhershme ose një transferim më i shpejtë drejt një spitali tjetër mund të kishte ndryshuar përfundimin tragjik.

“Salla është funksionale, por nuk kishte doktor. Mund ta transferonin në Korçë. Mendoj se do të kishin shpëtuar të dy”, deklaroi ajo.

37-vjeçarja ndërroi jetë gjatë transportimit drejt Tiranës. Pretendimet e familjarëve për vonesat dhe mënyrën e menaxhimit të rastit mbeten për t’u ballafaquar me versionin dhe dokumentacionin e institucioneve shëndetësore.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu