
Kryeministri Edi Rama kërkon një formulë të re për zgjerimin e Bashkimit Europian, ku Shqipëria dhe vendet e tjera kandidate të integrohen gradualisht, pa pritur përfundimin e të gjithë procesit dhe anëtarësimin me të drejta të plota.
Duke folur në Forumin e Cernobbios në Itali, Rama tha se vendet kandidate duhet të përfitojnë të drejtat e anëtarësimit hap pas hapi, në varësi të kapitujve që përmbushin.
Sipas tij, Shqipërisë nuk i nevojitet menjëherë e drejta e vetos për të qenë pjesë e tryezës europiane.
“Nuk besoj se 2027-a do të na presë lumturisht me kompetencën tonë të vetos. Nuk na duhet kompetenca e vetos për t’u ulur rreth tryezës”, tha Rama.
Kryeministri argumentoi se vendet kandidate duhet të përfshihen fillimisht në tregun e përbashkët, universitetet, shkëmbimet dhe programet europiane. Më pas, për çdo kapitull të përfunduar, ato duhet të marrin të njëjtat të drejta me vendet anëtare në atë fushë.
Rama përdori edhe batuta për të shpjeguar formulën e tij, duke i quajtur vendet kandidate “7 fëmijët e Ursulës”, të cilët, sipas tij, duhet të ulen në tryezën europiane, por të respektojnë rregullat.
Një pjesë të fortë të ndërhyrjes Rama ia kushtoi Serbisë dhe homazheve për Ratko Mladiçin. Ai e cilësoi Serbinë një “kafshë shumë interesante dhe të çuditshme në xhunglën e Ballkanit”, por argumentoi se pikërisht për këtë arsye Beogradi duhet mbajtur pranë Europës.
Sipas Ramës, është më mirë që Serbia të jetë në tryezën e BE-së, ku mund t’i thuhet se “nuk mund të bësh një funeral shtetëror për një kasap”, sesa të lihet në një pozicion të paqartë mes Europës, Rusisë, Kinës dhe SHBA-së.
Gjatë diskutimit Rama foli edhe për raportet e Shqipërisë me Rusinë dhe Kinën, duke deklaruar se vendi nuk ka marrëdhënie të tilla me Moskën dhe as investime të mirëfillta kineze. Në një moment, ai ndërpreu fjalën me batutën: “Po më merr Putini në telefon”.
Kryeministri ndodhet në Cernobbio, ku mori pjesë në forumin “Intelligence on the World, Europe and Italy”, në panelin kushtuar agjendës dhe të ardhmes së Europës.






