
Policia e Tiranës ka finalizuar operacionin e koduar “Last post”, duke goditur dy raste të ushtrimit të prostitucionit në apartamente të marra me qira, aktivitet që reklamohej edhe përmes rrjeteve sociale.
Në pranga kanë përfunduar tre gra, dy shtetase braziliane dhe një kolumbiane.
Sipas policisë, një 46-vjeçare braziliane dyshohet se shfrytëzonte për prostitucion një 21-vjeçare, po nga Brazili, në një apartament të marrë me qira në rrugën “Abdyl Frashëri”. Gjatë kontrollit, policia sekuestroi gjashtë telefona celularë, që dyshohet se përdoreshin për reklamimin e aktivitetit në rrjetet sociale.
Në rastin e dytë u arrestua një 23-vjeçare kolumbiane, e cila dyshohet se kishte marrë me qira një apartament në rrugën “Hamdi Sulçebe”, ku ushtronte prostitucion.
Policia bën të ditur se kontrollet dhe verifikimet kundër kësaj veprimtarie do të vijojnë si në terren, ashtu edhe në hapësirën digjitale.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.






