
Macet nuk e shfaqin gjithmonë dashurinë si qentë. Shpesh duken indiferente, por disa sjellje që pronarët i interpretojnë si mërzi apo distancë janë në fakt shenja besimi dhe afeksioni.
Veterinerja Sarah Wooten rendit shtatë mënyra përmes të cilave macet tregojnë se janë të lidhura me njeriun e tyre.
- Pulitja e ngadaltë e syve
Kur macja ju shikon dhe i mbyll e hap sytë ngadalë, nuk do të thotë domosdoshmërisht se është e përgjumur. Kjo sjellje lidhet me qetësinë, sigurinë dhe afrimitetin që ndien ndaj jush. - Ulet në prehrin tuaj
Jo të gjitha macet pëlqejnë kontaktin fizik. Prandaj, nëse macja zgjedh të qëndrojë për një kohë të gjatë në prehrin tuaj, kjo konsiderohet një shenjë e fortë besimi dhe afeksioni. - Ju sjell “dhurata”
Mund të jetë një lodër, një objekt që ka gjetur apo, më pak këndshëm, një mi ose zog i kapur. Për njeriun mund të jetë e bezdisshme, por për macen kjo sjellje mund të jetë një mënyrë për të shprehur lidhjen me ju. - Ju “gatuan” me putra
Lëvizja ritmike me putrat e përparme është një sjellje që macet e mësojnë që kur janë kotele gjatë ushqyerjes me qumësht. Kur e bëjnë pranë ose mbi ju, zakonisht tregon se ndihen të sigurta dhe të kënaqura. - Gërhet pranë jush
Gërhitja nuk nënkupton gjithmonë lumturi, pasi macet mund ta bëjnë edhe kur kanë dhimbje apo janë të stresuara. Por kur macja është e qetë, qëndron pranë jush dhe fillon të gërhasë, kjo është zakonisht shenjë kënaqësie dhe afrimiteti. - Fërkohet pas jush
Macet kanë gjëndra aromatike në fytyrë, putra dhe pranë bishtit. Kur fërkojnë kokën ose trupin pas jush, ato lënë aromën e tyre dhe, në njëfarë mënyre, ju përfshijnë në territorin dhe rrethin e tyre të sigurt. - Hap gojën dhe shtriqet kur ju sheh
Edhe kjo mund të duket thjesht si përgjumje. Por nëse macja zgjohet kur ju sheh, shtriqet, mjaullin dhe afrohet, kjo tregon se ndihet e qetë në praninë tuaj dhe është e kënaqur që ju sheh.
Pra, një mace nuk ka nevojë t’ju ndjekë kudo apo të kërkojë vazhdimisht përkëdhelje për të treguar dashuri. Shpesh sinjalet e saj janë shumë më të heshtura: një pulitje e ngadaltë, një fërkim i kokës apo thjesht zgjedhja për të qëndruar pranë jush.






