
Qeveria do të ketë një “radar digjital” për të monitoruar dinamikat dhe çështjet që qarkullojnë në hapësirën online. Nismën e bëri të ditur kryeministri Edi Rama gjatë adresimit për Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste dhe kabinetin qeveritar.
Sipas Ramës, radari do të jetë pjesë e arkitekturës së re që po ndërtohet rreth sistemit “Pasqyrë Albania” dhe do të shërbejë për të identifikuar sinjalet që vijnë nga bota digjitale dhe mënyrën se si zhvillohen çështje të ndryshme në territore të caktuara.
Kryeministri bëri një dallim të qartë mes analizimit të sinjaleve dhe ndjekjes së individëve, duke theksuar se sistemi nuk do të merret me njerëzit.
“Radari nuk merret me njerëzit, nuk ndjek njerëz, por ndjek dinamika, ndjek lëvizjen e çështjeve në sferën e interesit publik”, tha Rama.
Sipas skemës së paraqitur prej tij, radari do të evidentojë sinjalin, por vendimmarrja nuk do t’i lihet teknologjisë. Rama tha se “gjykon njeriu”, institucioni duhet të reagojë, sistemi “Besa” e merr çështjen në dorë, ndërsa “Pasqyra” e bën procesin të verifikueshëm.
Rama e lidhi ngritjen e radarit edhe me atë që e cilësoi si presionin e portaleve, lajmet e rreme dhe “gjobaxhinjtë” e botës online.
“Ne nuk mund të jemi një elefant që e marrin për hunde të gjithë llojet e specieve të botës digjitale”, u shpreh kryeministri, duke folur për “aventurierë”, “gjobaxhinj” dhe “kriminelë” që, sipas tij, fshihen pas portaleve dhe ushtrojnë presion ndaj biznesit apo zyrtarëve.
Kryeministri tha se qeveria duhet të krijojë kapacitetin për të dalluar shqetësimet reale të qytetarëve nga presionet, informacionet e rreme apo përmbajtjet absurde që përhapen në internet.
“Ne nuk mund të jemi pre e gjithë kësaj histerie ku nuk di më kush është prapa dhe çfarë po të thotë dhe çfarë të besosh”, deklaroi Rama.
“Radari digjital” është një prej instrumenteve që Rama prezantoi në kuadër të sistemit të ri të marrëdhënies mes qeverisë dhe qytetarëve, së bashku me “Pasqyrë Albania”, “Besa”, “Prania Besnike” dhe “Shkalla e meritës”.






