
Kryeministri Edi Rama paralajmëroi një ndryshim të fortë ligjor për t’i dhënë fund ndërhyrjeve politike në punësimet në administratën publike. Në adresimin për Grupin Parlamentar socialist dhe kabinetin qeveritar, Rama tha se do të propozojë që ndërhyrja e një deputeti për punësimin e një personi të konsiderohet vepër penale.
“Çdo ndërhyrje e një deputeti me telefon për të futur njeri në punë, të konsiderohet vepër penale dhe do ta propozoj këtë dhe do t’ju shoh të gjithëve në sy, dhe do t’ju kërkoj ta votoni”, deklaroi Rama.
Kryeministri shkoi më tej, duke thënë se edhe mesazhet e tipit “fut këtë në punë” apo “shihe një çikë atë” duhet të përfshihen në këtë ndalim. Sipas tij, një deputet që ndërhyn në këtë mënyrë favorizon njerëzit që kanë akses tek ai, në dëm të mijëra qytetarëve të tjerë që nuk kanë lidhje familjare, shoqërore apo politike me përfaqësuesin e zgjedhur.
Rama përdori pikërisht “WhatsApp-in e deputetit” si simbol të sistemit të ndërhyrjeve që, sipas tij, duhet të marrë fund. Ai tha se është e papranueshme që një i ri, i rritur dhe shkolluar me sakrifica nga familja e tij, të parakalohet në garën për një vend pune vetëm për shkak të një mesazhi të deputetit.
“Vepër penale!”, përsëriti Rama, ndërsa e lidhi këtë masë me sistemin e ri të quajtur “Shkalla e meritës”, i cili synon që karriera në shtet të fitohet mbi bazën e meritës dhe jo të ndërhyrjeve politike.
Deputetët nën “provim”, Rama: Vlerësim me 100 pikë
Por paralajmërimi i Ramës nuk u ndal vetëm te punësimet. Kryeministri njoftoi se do të krijohet edhe një modul i ri për matjen e performancës së çdo deputeti socialist.
Sistemi do të ketë një maksimum prej 100 pikësh dhe, sipas Ramës, nuk do të shërbejë si një “ritual ndëshkimi”, por si një mënyrë për të disiplinuar punën e deputetëve gjatë mandatit të katërt.
Pikët do të lidhen me disa elemente të punës së deputetit: punën parlamentare, praninë në territor, cilësinë e dëgjimit dhe të përgjigjes ndaj problemeve të qytetarëve, punën me strukturat dhe vlerësimin nga njerëzit, si edhe aktivitetin në hapësirën digjitale.
Rama e shoqëroi paralajmërimin me një mesazh të fortë për deputetët e tij, duke thënë se kjo disiplinë është e nevojshme që socialistët të mos dalin “me shkelma, jo nga qeveria, por nga historia” në fund të mandatit.
Në të njëjtën linjë, kryeministri kërkoi që deputeti të mos funksionojë më si ndërmjetës mes qytetarit dhe administratës. Formula e tij ishte e prerë: “partia nuk bën shtetin, deputeti nuk ndërmjetëson favore, kryetari i partisë nuk është sportel punësimi”.






