Dorëheqja e Evis Salës nga posti i ministres së Shëndetësisë ka sjellë akuza të forta nga opozita. Nënkryetari i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, pretendon se largimi i saj lidhet me një projektligj për riorganizimin e sektorit të shëndetësisë, të cilin, sipas tij, Sala ka refuzuar ta firmosë.

Në një reagim në rrjetet sociale, Këlliçi deklaron se Partia Demokratike e kishte paralajmëruar më herët projektin për krijimin e një strukture që, sipas tij, do të marrë nën kontroll një pjesë të konsiderueshme të funksioneve të sektorit shëndetësor.

“Siç e kemi paralajmëruar, projekti i Edi Ramës për krijimin e një agjencie që do marrë shëndetësinë në dorë, i dha efektet e para. Largimi i ministres Sala ka lidhje pikërisht me këtë aferë”, shkruan Këlliçi.

Sipas tij, projektligji ndodhet aktualisht në fazën e draftit dhe pritet të shqyrtohet me nisjen e sesionit të ri parlamentar.

Nënkryetari i PD-së pretendon se struktura e re do të ketë kompetenca të gjera mbi ilaçet, pajisjet mjekësore dhe operacionet logjistike e strategjike, duke përfshirë tenderimin, magazinimin dhe shpërndarjen.

“Praktikisht bëhet fjalë për krijimin e një Ministrie Shëndetësie paralele, por me pushtet absolut”, deklaron Këlliçi.

Ai shkon më tej duke pretenduar se struktura mund të kontrollohet nga biznesmeni izraelit Sani Sanilevich, të cilin e cilëson mik të afërt të kryeministrit Edi Rama dhe konsull nderi të Shqipërisë.

Këlliçi përmend gjithashtu interesa të tjera biznesi që, sipas tij, lidhen me Sanilevich, përfshirë Jet Bank dhe investime të tjera në Shqipëri.

Akuzat e Këlliçit nuk janë shoqëruar në deklaratën e tij me dokumente që provojnë se biznesmeni izraelit do të marrë kontrollin e strukturës së re apo se dorëheqja e Salës është shkaktuar nga refuzimi për të firmosur projektligjin.

Megjithatë, nënkryetari demokrat pretendon se pikërisht ky refuzim qëndron pas largimit të ministres.

“Raportimet në media se ministrja e Shëndetësisë Sala ka refuzuar firmosjen e këtij projektligji, e për pasojë ka dhënë dorëheqjen, janë në dritën e këtyre zhvillimeve”, shkruan ai.

Këlliçi e krahason çështjen me koncesionet e sterilizimit dhe check-up-it dhe i kërkon SPAK-ut të nisë hetimet.

“SPAK është në kohë për t’u zgjuar e për të parandaluar një krim të rëndë financiar me jetën dhe shëndetin e qytetarëve”, përfundon Këlliçi.

Evis Sala dha dorëheqjen këtë të mërkurë nga posti i ministres së Shëndetësisë. Burime qeveritare bënë të ditur se ajo ia ka dorëzuar dorëheqjen kryeministrit Edi Rama, ndërsa pritet që vetë Sala të sqarojë publikisht motivet e vendimit.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu