
Evis Sala ka reaguar pas dorëheqjes nga posti i ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, duke bërë të ditur se largohet nga qeveria për shkak të angazhimeve të reja ndërkombëtare.
Në një postim në platformën X, Sala tha se mbledhja e kësaj të mërkure ishte e fundit për të si anëtare e kabinetit qeveritar, pasi ka pranuar angazhime të rëndësishme në fushat e ekspertizës së saj: onkologji, inteligjencë artificiale dhe inovacion.
Ish-ministrja falënderoi kryeministrin Edi Rama për besimin dhe mbështetjen, si dhe mjekët, infermierët dhe punonjësit e sistemit të shëndetësisë dhe mirëqenies sociale për bashkëpunimin gjatë vitit që drejtoi ministrinë.
Sala theksoi se gjatë mandatit janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm në shëndetësi, disa prej të cilëve, sipas saj, janë tashmë të dukshëm, ndërsa të tjerë sapo kanë nisur.
Ajo nënvizoi se largimi nga qeveria nuk nënkupton përfundimin e angazhimit të saj për Shqipërinë, duke deklaruar se do të vijojë të kontribuojë përmes dijes, eksperiencës dhe rrjetit të saj profesional ndërkombëtar.
“Detyrat kanë një fillim dhe një fund. Por përgjegjësia dhe lidhja me vendin tënd nuk kanë kufij”, përfundoi Sala.






