
Italia dhe Spanja do të vazhdojnë edhe për 15 ditë kontrollet ndaj udhëtarëve që lëvizin mes dy vendeve, duke zgjatur masat e vendosura pas krizës së emigrantëve në Ceuta.
Qeveria e Giorgia Melonit ka vendosur të zgjasë kontrollet në kufijtë ajrorë dhe detarë me Spanjën. Të gjithë shtetasit e vendeve të treta që mbërrijnë në Itali me avionë apo anije nga portet dhe aeroportet spanjolle do të vazhdojnë t’u nënshtrohen kontrolleve të dokumenteve.
Vendimi italian ka sjellë menjëherë reagimin e Madridit. Qeveria e Pedro Sanchez ka vendosur, në bazë të reciprocitetit, të zgjasë gjithashtu me 15 ditë kontrollet ndaj udhëtarëve që mbërrijnë nga Italia.
Masat ishin vendosur pas krizës së jashtëzakonshme migratore në Ceuta, ku në fund të korrikut u raportua mbërritja e rreth 80 mijë emigrantëve brenda vetëm 48 orëve.
Sipas “La Repubblica”, gjatë një muaji autoritetet italiane kanë kontrolluar dokumentet e rreth 180 mijë personave. Vetëm 31 prej tyre janë refuzuar, ndërsa tetë ishin shtetas marokenë.
Pavarësisht numrit relativisht të ulët të refuzimeve, qeveria italiane vlerëson se situata në Ceuta nuk është normalizuar ende. Në enklavën spanjolle raportohet se ndodhen të paktën 5 mijë persona, një pjesë e të cilëve, sipas vlerësimeve italiane, nuk janë identifikuar.
Ministri i Brendshëm italian, Matteo Piantedosi, ka shprehur shpresën që kjo të jetë zgjatja e fundit e masës.
“Besoj se mund të jetë pezullimi i fundit, sepse kjo do të nënkuptonte se po shkojmë drejt normalizimit të situatës”, deklaroi Piantedosi, duke shtuar se Italia është e gatshme të bashkëpunojë me Spanjën dhe Bashkimin Europian.
Roma argumenton se vendimi është marrë pas analizës së situatës së emigracionit dhe sigurisë së kufijve, ndërsa njëkohësisht ka marrë në konsideratë masat që Spanja dhe Bashkimi Europian kanë nisur për normalizimin e gjendjes në Ceuta.
Nga ana tjetër, Madridi ka kundërshtuar shqetësimet italiane, duke deklaruar se emigrantët e mbërritur në Ceuta nuk kanë mundur të kalojnë prej enklavës drejt territorit kontinental spanjoll.
Megjithatë, për të paktën edhe 15 ditë, kontrollet mes dy vendeve të zonës Schengen do të vazhdojnë.






