Gjermania konfirmon se do të nisë kthimin drejt Italisë të azilkërkuesve që kanë hyrë në Bashkimin Europian përmes territorit italian, duke zbatuar marrëveshjet mes dy vendeve dhe rregullat e reja europiane për migracionin.

Ministria e Brendshme gjermane u shpreh e habitur nga përplasjet e fundit me Romën, duke kujtuar se Gjermania dhe Italia kishin arritur që në vjeshtën e vitit 2025 një marrëveshje për rikthimin e zbatimit të rregullave të Dublinit pas hyrjes në fuqi të sistemit të ri europian të azilit në qershor të këtij viti.

Rasti i parë që ka tërhequr vëmendjen është ai i një shtetaseje somaleze, e cila ka kërkuar mbrojtje në Gjermani, por rezulton se ka hyrë fillimisht në Europë përmes Italisë. Autoritetet gjermane kanë parashikuar kthimin e saj më 19 gusht. Sipas Corriere della Sera, aktualisht çështja prek vetëm disa dhjetëra persona.

Ministri i Jashtëm italian Antonio Tajani është përpjekur të zbusë përplasjen me Berlinin. Ai tha se nuk sheh një problem serioz mes dy vendeve, por kujtoi se anije të organizatave joqeveritare me flamur gjerman kanë zbarkuar emigrantë në Itali. Roma kërkon që kjo çështje të merret parasysh në diskutimet me Berlinin.

Ndërkohë tensionet për emigracionin janë shtuar edhe në Spanjë. Madridi ka përforcuar kontrollet në kufirin e Ceutës me Marokun nga frika e një tentative për kalim masiv të emigrantëve më 15 gusht. Në zonë janë dërguar edhe njësi të Marinës, ndërsa autoritetet marokene kanë njoftuar arrestimin e personave që dyshohet se bënin thirrje për kalimin masiv të kufirit.

Italia, duke iu referuar informacioneve të shërbimeve sekrete, ka ngritur gjithashtu shqetësimin se mes emigrantëve që tentojnë të hyjnë në Ceuta mund të infiltrohen persona të lidhur me terrorizmin. Roma ka mbajtur pjesërisht të pezulluara masat e Schengenit ndaj Spanjës të paktën deri më 15 gusht.

Në të njëjtën kohë, Danimarka ka thirrur për më 4 shtator në Kopenhagë një takim me ministrat përkatës të Gjermanisë, Austrisë, Greqisë dhe Holandës. Në qendër do të jetë propozimi për krijimin e qendrave të kthimit të emigrantëve jashtë territorit të Bashkimit Europian.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu