Sir Anthony Hopkins po hap një kapitull të ri në karrierën e tij. Aktori 88-vjeçar do të publikojë më 21 gusht albumin e tij të parë muzikor, “Life Is a Dream”, me 12 kompozime të krijuara përgjatë rreth 60 viteve.

Fituesi i dy çmimeve Oscar ka treguar se, përpara aktrimit, muzika ishte dashuria e tij e parë. Hopkins nisi të luante piano vetëm katër vjeç, ndërsa kompozimin e parë e shkroi në vitin 1960, kur ishte 22 vjeç.

Albumi është interpretuar nga Philharmonia Orchestra nën drejtimin e dirigjentit të njohur Gustavo Dudamel, ndërsa regjistrimet janë realizuar në Londër. “Life Is a Dream” do të publikohet nga Decca Records.

Për Hopkins, projekti është thellësisht personal. Muzika lidhet me fëmijërinë e tij, vitet e rritjes në Uells dhe kujtimet e rinisë, duke ndërthurur nostalgjinë me trishtimin.

Aktori e përshkruan jetën si një “lamtumirë të gjatë”, ndërsa një prej kompozimeve të albumit ia ka kushtuar bashkëshortes së tij, Stella Hopkins.

Hopkins nuk është krejtësisht i panjohur me botën e kompozimit. Gjatë karrierës ka punuar me muzikën edhe për filma, por ky është projekti i parë që mbledh në një album krijimtarinë e tij të zhvilluar përgjatë gjashtë dekadave.

Pas publikimit, 88-vjeçari ka edhe një ëndërr tjetër: të performojë në Carnegie Hall në New York, skenë të cilën thotë se e admiron që nga fëmijëria.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu