
Kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të mërkurë në Kuç të Vlorës një takim të gjatë me kryetarë bashkish, në kuadër të konsultimeve për Reformën e re Territoriale.
Takimi i kryeministrit Edi Rama me 20 kryebashkiakë socialistë në Kuç të Vlorës është shoqëruar me debate të forta për Reformën Territoriale. Sipas raportimeve mediatike, kryebashkiaku i Poliçanit, Adriatik Zotkaj, është larguar nga mbledhja pas përplasjes gjatë diskutimeve, ndërsa kryebashkiakja e Dimalit, Juliana Memaj, raportohet se është përplasur me Ramën dhe është larguar nga takimi. Debate me kryeministrin dhe Arbjan Maznikun kanë pasur edhe kryebashkiakët e Selenicës dhe Divjakës, Nertil Bellaj dhe Josif Gorrea, të cilët kundërshtojnë shkrirjen e bashkive që drejtojnë. Rama, nga ana tjetër, mësohet se i ka akuzuar disa prej drejtuesve vendorë se po nxisin komunitetet kundër reformës, duke këmbëngulur se riorganizimi territorial duhet të ecë përpara.
Takimi zgjati rreth 4 orë e 30 minuta dhe në të morën pjesë edhe drejtues të bashkive që, sipas propozimit të Partisë Socialiste, pritet të preken nga riorganizimi i hartës së pushtetit vendor.
Në takim ishin gjithashtu Arbjan Mazniku, në cilësinë e bashkëkryetarit të komisionit për Reformën Territoriale, si dhe ministri Ervin Demo.
Në qendër të diskutimeve ishte organizimi i ri territorial, problematikat me të cilat përballen aktualisht njësitë vendore dhe mënyrat për përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.
Propozimi i Partisë Socialiste parashikon reduktimin e numrit të bashkive nga 61 që janë aktualisht në 46. Plani ka shkaktuar kundërshti dhe protesta në disa prej zonave që rrezikojnë të humbasin statusin e bashkisë, përfshirë edhe bashki të drejtuara nga socialistët.
Sipas PS-së, konsolidimi territorial nuk nënkupton “zhdukjen” e bashkive që preken. Qendrat që do të përfshihen në bashki më të mëdha parashikohet të ruajnë përfaqësim institucional përmes një nënkryetari dhe përfaqësimit në këshillin bashkiak.
Partia Demokratike ka paraqitur një projekt krejt të ndryshëm. Drafti i opozitës propozon zgjerimin e hartës në 100 bashki dhe krijimin e 6 rajoneve, me 39 njësi vendore më shumë se aktualisht.
Në takimin e Kuçit morën pjesë drejtuesit e bashkive Durrës, Shkodër, Kukës, Elbasan, Korçë, Berat, Vlorë, Gjirokastër, Klos, Rrogozhinë, Dimal, Poliçan, Patos, Divjakë, Selenicë, Maliq, Këlcyrë, Cërrik, Belsh dhe Libohovë.
Konsultimet pritet të vijojnë, ndërsa debati politik mbetet i fortë mes dy modeleve: PS kërkon reduktimin në 46 bashki, ndërsa PD propozon 100 bashki dhe 6 rajone.






