
Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.4 ka goditur Kolumbinë perëndimore, duke shkaktuar të paktën 132 viktima dhe rreth 570 të plagosur. Autoritetet paralajmërojnë se bilanci mund të rëndohet, ndërsa ekipet e shpëtimit vazhdojnë kërkimet nën rrënoja.
Epiqendra e tërmetit ishte në San José del Palmar, rreth 240 kilometra në perëndim të Bogotas. Lëkundjet u ndjenë fuqishëm edhe në kryeqytet, ku mijëra qytetarë dolën në rrugë.
Situata më e rëndë raportohet në Cali, ku të paktën 85 persona kanë humbur jetën. Dhjetëra ndërtesa janë shembur, ndërsa dëmtime kanë pësuar edhe spitale dhe shkolla. Mes strukturave të prekura janë repartet pediatrike dhe neonatale të një spitali.
Qeveria kolumbiane ka shpallur gjendjen e katastrofës kombëtare dhe ka angazhuar ushtrinë në operacionet e kërkim-shpëtimit.
Sipas Programit Botëror të Ushqimit të OKB-së, rreth 5 mijë ndërtesa janë prekur, ndërsa disa komunitete të izoluara ende nuk kanë marrë ndihmë.
Bashkimi Europian ka aktivizuar shërbimin satelitor Copernicus për të ndihmuar operacionet e emergjencës, ndërsa SHBA ka njoftuar 15.5 milionë dollarë ndihmë.
Tërmeti konsiderohet më i fuqishmi që ka goditur Kolumbinë gjatë dekadës së fundit.






