
Shefi i Stacionit të Policisë Roskovec, Mariglen Koroveshaj, ka rrëfyer për herë të parë momentet dramatike të negociatave me 35-vjeçarin Nertil (Refit) Buzi, i cili pasi vrau ish-vjehrrit e tij në fshatin Vidhishtë, mbajti peng ish-të fejuarën, Rozalinda Plaka.
Koroveshaj tha se negociatat zgjatën rreth dy orë, derisa autori pranoi të lironte 24-vjeçaren, por vetëm pasi kërkoi që polici t’i afrohej i vetëm dhe pa armë.
“Autori më kërkoi të afrohesha i paarmatosur dhe i vetëm. E zbatova kërkesën e tij sepse në ato momente qëllimi ynë ishte të shpëtonim jetën e pengut dhe të shmangnim përshkallëzimin e situatës”, u shpreh ai.
Sipas shefit të policisë, Buzi nuk e lejoi të afrohej më shumë se dy metra, duke kërcënuar se do të vetëvritej nëse ai i afrohej më tepër. Ndërkohë, i gjithë operacioni monitorohej nga forcat RENEA dhe snajperistët.
View this post on Instagram
Pas lirimit, Rozalinda Plaka ndodhej në gjendje të rënduar fizike dhe psikologjike, ndaj Koroveshaj tha se e mori në krahë për ta nxjerrë nga zona e rrezikut, përpara se të rikthehej për të vijuar negociatat me autorin.
Ai bëri të ditur gjithashtu se kishte pasur kontakt të mëparshëm me çiftin, pasi 24-vjeçarja kishte kallëzuar ish-të fejuarin për përndjekje. Lidhur me masën e “arrestit në shtëpi” ndaj Buzit, Koroveshaj deklaroi se kontrollet ishin kryer sipas procedurave dhe se autori ishte gjetur çdo herë në banesë gjatë verifikimeve.
Ngjarja e rëndë ndodhi më 24 korrik në Vidhishtë të Roskovecit, ku Buzi vrau me armë gjahu Kosta dhe Belere Plaka. Pas lirimit të ish-të fejuarës, ai i dha fund jetës brenda automjetit të tij.






