
Gjykata Administrative ka rrëzuar kërkesën e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për shqyrtimin e çështjes që lidhet me emërimin e prokurorit Ols Dado.
Sipas vendimit, Veliaj nuk ka interes të drejtpërdrejtë në këtë proces, por vetëm interes të tërthortë, ndaj gjykata vendosi të mos e marrë çështjen në shqyrtim në themel.
Pas shpalljes së vendimit, avokati Plarent Ndreca e cilësoi atë të pritshëm, por deklaroi se procesi do të vijojë në Gjykatën e Apelit sapo të zbardhet vendimi.
Ndreca këmbënguli se, sipas tij, emërimi i Dados nuk është bërë në përputhje me ligjin dhe se sistemi i drejtësisë nuk tregoi aftësi për të korrigjuar problematikat e veta.
Gjykata rrëzoi gjithashtu kërkesat e ish-prokurorit Tom Deda dhe të Asociacionit për Media dhe Drejtësi për t’u përfshirë si palë në proces.
Deda pretendoi se shkarkimi i tij nga detyra lidhej me krijimin e një vendi vakant për emërimin e Dados, por gjykata vlerësoi se ai nuk kishte interes të drejtpërdrejtë në çështje.
Mbrojtja e Ols Dados kundërshtoi pretendimet e Veliajt, duke argumentuar se pranimi i kërkesës do të krijonte një precedent të rrezikshëm për funksionimin e institucioneve.






