Gjykata e Tiranës ka vendosur të shtyjë ekzekutimin e dënimit me burg për 34-vjeçaren Dorina Sejdini, duke urdhëruar lirimin e saj të menjëhershëm nga Institucioni i Ekzekutimit të Vendimeve Penale për gratë në Pojskë, ku ndodhej së bashku me foshnjën e saj njëvjeçare.

Vendimi u mor pas kërkesës së avokatit mbrojtës për pezullimin e ekzekutimit të vendimit të formës së prerë, me të cilin Sejdini ishte dënuar me dy muaj burg për veprën penale të dhunës në familje ndaj vjehrrit të saj.

34-vjeçarja u arrestua pak ditë më parë në pikën kufitare të Muriqanit, teksa kthehej nga Gjermania me familjen. Pasi u njoftua për vendimin në fuqi, ajo u paraqit vullnetarisht në Komisariatin nr. 6 dhe më pas u transferua në burgun e Pojskës.

Fillimisht foshnja e saj mbeti jashtë institucionit, por një ditë më vonë iu bashkua nënës, në zbatim të së drejtës ligjore që u lejon nënave të mbajnë pranë fëmijët nën moshën tre vjeç. Dy fëmijët e tjerë të mitur, 7 dhe 2 vjeç, mbetën në kujdesin e familjarëve.

Rasti shkaktoi reagim të gjerë publik dhe institucional. Avokati i Popullit zhvilloi një vizitë në burg dhe kërkoi verifikimin e procedurave, ndërsa Presidenca bëri të ditur se po ndiqte çështjen dhe ishte e gatshme të shqyrtonte edhe mundësinë e një faljeje presidenciale.

Me vendimin e së enjtes, Gjykata e Tiranës pranoi shtyrjen e ekzekutimit të dënimit, duke bërë të mundur lirimin e 34-vjeçares, ndërsa procedurat gjyqësore për çështjen penale do të vijojnë.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu