Prokuroria Themelore Publike e Gostivarit ka nisur hetime ndaj tre zyrtarëve të Ndërmarrjes Publike “Komunalja”, pasi dyshohet se qytetarët e Gostivarit dhe disa fshatra përreth janë furnizuar për gati tre javë me ujë të kontaminuar.

Sipas Prokurorisë, analizat e Institutit të Shëndetit Publik tregojnë se uji ishte shumë i ndotur dhe nuk mund të përdorej për asnjë qëllim, për shkak të pranisë së lartë të baktereve koliforme, shumë mbi normat e lejuara.

Në pranga kanë përfunduar ushtruesja e detyrës së drejtoreshës së “Komunales”, udhëheqësi teknik i sektorit dhe shefi i njësisë së ujësjellësit, të cilët dyshohen për veprën penale “Vepra të rënda kundër mjedisit jetësor dhe natyrës, të shkaktuara përmes ndotjes së ujit të pijshëm”.

Sipas hetimeve, më 25 qershor të dyshuarit urdhëruan vendosjen e tre pompave zhytëse në një kanal me ujë sipërfaqësor të ndotur për të testuar presionin e rrjetit. Gjatë inspektimit të kryer më 16 korrik u konstatua se dy prej pompave vazhdonin të funksiononin, duke transferuar ujë të kontaminuar në sistemin e furnizimit me ujë të pijshëm.

Analizat laboratorike zbuluan nivele shumë të larta të baktereve koliforme në ujin e kanalit, ndërsa ndotje bakteriale u konstatua edhe në rrjetin e ujit të pijshëm. Gjithashtu, në një mostër të marrë nga rrjeti u evidentua përqendrim i klorit mbi kufijtë maksimalë të lejuar.

Prokuroria vlerëson se ekzistojnë dyshime të bazuara për kryerjen e veprës penale dhe ka bërë të ditur se hetimet do të vijojnë për të zbardhur plotësisht përgjegjësitë. Ndërkohë, gjatë ditës pritet të vendosen edhe masat e sigurisë ndaj tre të arrestuarve.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu