Veriu i Shqipërisë është përfshirë në zonën me rrezikshmërinë më të lartë për mot ekstrem, sipas Institutit Evropian për Parashikimin e Stuhive (ESTOFEX), i cili ka lëshuar nivelin 3 të alarmit, shkalla më e lartë që shpallet vetëm në raste të rralla.

Sipas parashikimit, gjatë pasdites dhe mbrëmjes së 21 korrikut priten kushte atmosferike shumë të paqëndrueshme, me potencial për stuhi të fuqishme, breshër me përmasa të mëdha, erëra shkatërruese, reshje intensive dhe, në raste të izoluara, edhe tornado.

Përveç veriut të Shqipërisë, në zonën me rrezik maksimal përfshihen edhe Kosova, Mali i Zi, Dalmacia në Kroaci, jugu i Bosnjë-Hercegovinës, si dhe pjesë të Detit Adriatik dhe verilindjes së Italisë.

ESTOFEX harton parashikimet duke analizuar modele të avancuara meteorologjike dhe parametra atmosferikë si energjia konvektive, ndryshimet e erës në lartësi dhe lagështia, për të identifikuar zonat ku ekziston potenciali më i lartë për mot të ashpër.

Meteorologët theksojnë se niveli 3 nuk do të thotë se fenomenet ekstreme do të godasin çdo zonë, por sinjalizon se kushtet janë të favorshme për zhvillimin e stuhive të rrezikshme me ndikim lokal. Për këtë arsye, qytetarëve u rekomandohet kujdes i shtuar gjatë orëve të pasdites dhe mbrëmjes.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu