
Tensione u shënuan në seancën plenare të Kuvendit gjatë raportimit të Avokatit të Popullit, Endri Shabani. Deputetët e Partisë Demokratike bllokuan Foltoren në momentin kur Shabani do të merrte fjalën, duke detyruar drejtuesin e seancës, Niko Peleshi, të ndërpriste punimet për pesë minuta.
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, kundërshtoi raportimin e Shabanit, duke e cilësuar provokim ndaj opozitës dhe duke deklaruar se zgjedhja e tij si Avokat i Popullit është kundërshtuar në Gjykatën Kushtetuese.
“S’mund ta provokoni opozitën duke sjellë për të raportuar një njeri që është zgjedhur në kundërshtim flagrant me Kushtetutën. Për sa kohë çështja është në shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese, ai nuk mund të sillet këtu si Avokat i Popullit”, u shpreh Bardhi.
Sipas tij, Shabani “nuk ka ngritur kurrë zërin” për çështjet që kanë shqetësuar opozitën dhe “është sjellë si ushtar i Ramës dhe jo si Avokat i Popullit”.
Pas bllokimit të Foltores nga deputetët demokratë, Niko Peleshi njoftoi ndërprerjen e seancës për pesë minuta.






