Tre persona kanë rënë në prangat e Policisë së Lezhës, pasi dyshohet se rrëmbyen dhe dhunuan një 28-vjeçar për shkak të një konflikti që lidhej me pagesën e qirasë së dy automjeteve.

Sipas Policisë, pas kallëzimit të babait të 28-vjeçarit, efektivët identifikuan dhe arrestuan brenda pak minutash dy vëllezërit R. M., 28 vjeç, dhe R. M., 22 vjeç, administratorë të një subjekti që jepte automjete me qira, si dhe kushëririn e tyre, E. M., 22 vjeç.

Nga hetimet paraprake rezulton se tre të rinjtë e morën me forcë 28-vjeçarin në një karburant në fshatin Derven, me pretendimin se nuk kishte shlyer detyrimet financiare për dy automjete të marra me qira. Më pas e transportuan me automjet drejt një karburanti në fshatin Shënkoll të Lezhës, ku dyshohet se e dhunuan dhe më pas e lanë në rrugë.

I riu u dërgua në Spitalin Rajonal të Lezhës, mori ndihmën mjekësore dhe u largua në banesë jashtë rrezikut për jetën.

Policia sekuestroi automjetin e përdorur në ngjarje, ndërsa materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës për veprat penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Vetëgjyqësia” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”, të kryera në bashkëpunim.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu