
Kryeministri Edi Rama e cilësoi protestën për mbrojtjen e mjedisit si një shenjë të pjekurisë së shoqërisë shqiptare, duke deklaruar se fakti që mijëra qytetarë angazhohen për çështje si flamingot, lagunat, pyjet dhe biodiversiteti tregon se vendi ka ndryshuar.
Në një deklaratë publike, Rama tha se protestat, pavarësisht ekzagjerimeve, manipulimeve apo instrumentalizimit politik që sipas tij i shoqëruan, përbëjnë një arritje të rëndësishme qytetare.
“Unë nuk kam parë kurrë armiq tek ata që e duan sinqerisht natyrën, edhe kur nuk ndaj të njëjtin mendim me ta”, u shpreh kryeministri.
Rama theksoi se qeveria nuk pretendon se ka bërë gjithçka si duhet, duke pranuar se ka pasur gabime dhe se mbeten ende shumë gjëra për t’u përmirësuar. Sipas tij, raporti i fundit ndërkombëtar për performancën mjedisore nuk duhet parë si një arsye për vetëkënaqësi, por si një përgjegjësi për të dëgjuar më shumë dhe për të korrigjuar gabimet.
Në fund të deklaratës, kreu i qeverisë tha se reflektimi i premtuar pas protestës së “Bulevardit të Flamingove” është “jo vetëm i nevojshëm, por i domosdoshëm”, duke shtuar se ai do të prezantohet së shpejti.






