Një 43-vjeçar me origjinë marokene ka humbur jetën gjatë një ndërhyrjeje të policisë në Bolonjë, ndërsa videoja e arrestimit të tij ka shkaktuar reagime të forta në Itali.

Viktima, Abderrahim Fakir, pronar i një kompanie të vogël pastrimi, u neutralizua nga efektivët pasi në numrin e emergjencës u raportua se po sillej në mënyrë agresive dhe po dëmtonte një automjet në lagjen Pilastro.

Sipas rindërtimit të ngjarjes, policët mbërritën në vendngjarje dhe tentuan ta qetësonin 43-vjeçarin. Autoritetet pretendojnë se ai reagoi ndaj tyre, çka solli përdorimin e sprajit irritues dhe më pas imobilizimin e tij në tokë për t’i vendosur prangat.

Pamjet filmike të publikuara tregojnë Fakirin të shtrirë me fytyrë nga toka, ndërsa dëgjohet të thërrasë vazhdimisht: “Ndihmë”. Pas rreth dy minutash e gjysmë, ai pushon së lëvizuri dhe mbetet i palëvizshëm.

Sipas mediave italiane, 43-vjeçari vuante nga astma dhe kishte pasur episode të përsëritura të krizave të frymëmarrjes. Rrethanat e sakta të vdekjes do të përcaktohen nga autopsia.

Ngjarja shkaktoi zemërim në lagje, ku qindra banorë protestuan kundër policisë. Familjarët e viktimës kërkojnë zbardhjen e plotë të rastit.

“Më vranë vëllain. Dua drejtësi dhe dua hakmarrje. Nëse një njeri është i shqetësuar, duhet ta qetësosh, jo ta vrasësh nën diell”, deklaroi motra e viktimës.

Prokuroria e Bolonjës ka nisur hetimet, ka sekuestruar videot e regjistruara nga dëshmitarët dhe pritet të analizojë edhe pamjet e kamerës trupore të njërit prej efektivëve të policisë.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu