
Detaje të reja kanë dalë nga hetimet për skemën e dyshuar të përvetësimit të rreth 69 milionë lekëve në filialin e Postës Shqiptare në Durrës, ku tre zyrtare akuzohen për abuzim me fondet e destinuara për pensione dhe ndihma sociale.
Gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë, prokuroria paraqiti elemente të reja të hetimit, duke përmendur edhe frekuentimin e kazinove nga ish-drejtoresha e filialit, Elisabeta Mataj.
Në mbrojtjen e saj, Mataj pranoi se kishte frekuentuar kazino, por deklaroi se kjo nuk përbënte shkelje.
“Unë jam qytetare e lirë. Më shpjegoni se cila është kontrata e firmosur që nuk mund të shkoj në lokale, bare dhe kazino”, u shpreh ajo para gjykatës.
Ish-drejtoresha mohoi gjithashtu se kishte tentuar t’i shmangej drejtësisë, duke sqaruar se kishte planifikuar një udhëtim jashtë vendit më 10 korrik, ndërsa në datat 13 dhe 14 korrik kishte qenë në vendin e punës.
E pyetur nga gjykata se ku kanë përfunduar fondet që dyshohet se janë përvetësuar, Mataj deklaroi se nuk kishte dijeni.
Sipas hetimeve, shuma prej rreth 69 milionë lekësh ishte e destinuar për pagesën e pensioneve dhe ndihmave sociale. Prokuroria po vijon hetimet për të zbardhur mënyrën e funksionimit të skemës, rolin e secilës prej të arrestuarave dhe destinacionin përfundimtar të parave.






