
Një atentat me armë zjarri u regjistrua mbrëmjen e së premtes në Sarandë, ku mbeti i plagosur 50-vjeçari Thimjo Rubati, i njohur edhe si Sandër Rubati.
Sipas Policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 21:15 në lagjen nr. 4, ku Rubati u qëllua me armë zjarri para biznesit të tij. Ai u transportua fillimisht në spitalin e Sarandës për të marrë ndihmën e parë mjekësore.
Nga të dhënat paraprake, autorët dyshohet se kanë qenë dy persona të pajisur me skafandra, të cilët janë larguar menjëherë nga vendngjarja me një motomjet. Forca të shumta policie kanë rrethuar zonën dhe kanë ngritur pika kontrolli në hyrje-daljet e qytetit për identifikimin dhe kapjen e tyre.
Sipas burimeve paraprake, Rubati është një emër i njohur për organet ligjzbatuese, i përmendur më herët në hetime për vepra të ndryshme penale. Megjithatë, autoritetet nuk kanë konfirmuar nëse kjo ngjarje lidhet me të kaluarën e tij.
Hetuesit po verifikojnë gjithashtu nëse atentati ka lidhje me incidentin e ndodhur një natë më parë në të njëjtën zonë, ku u dhunua një efektiv policie dhe ku, sipas burimeve, dyshohet se ishte përfshirë edhe djali i të plagosurit.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.






