
Anglia është kualifikuar në çerekfinalet e Kupës së Botës 2026 pas një fitoreje spektakolare 3-2 ndaj Meksikës në stadiumin legjendar “Azteca”, në një nga ndeshjet më dramatike të turneut.
Jude Bellingham ishte protagonisti i pjesës së parë, duke shënuar dy gola brenda dy minutave, në të 36-ën dhe të 38-ën. Meksika reagoi para pushimit me Julián Quiñones, ndërsa sfida mori një tjetër kthesë në minutën e 54-t, kur mbrojtësi anglez Jarell Quansah u ndëshkua me karton të kuq.
Edhe pse me një lojtar më pak, Anglia arriti të shënonte sërish në minutën e 60-të, kur Harry Kane realizoi nga pika e penalltisë. Më pas edhe Meksika fitoi një penallti, të cilën Raúl Jiménez e ktheu në gol, por vendasit nuk arritën të gjenin rrjetën për herë të tretë.
Portieri Jordan Pickford ishte vendimtar me disa pritje spektakolare, duke ndihmuar Anglinë të ruajë avantazhin deri në vërshëllimën finale.
Në çerekfinale, Anglia do të përballet me Norvegjinë, që më herët eliminoi Brazilin falë dy golave të Erling Haaland. Përballja mes anglezëve dhe norvegjezëve pritet të jetë një nga sfidat më të forta të këtij Botërori.



