
Këngëtarja Aurela Gaçe ka reaguar pasi në rrjetet sociale u bënë thirrje për bojkotimin e koncertit të saj në Shkodër, në kuadër të fushatës së protestuesve ndaj figurave publike që, sipas tyre, nuk janë pozicionuar kundër qeverisë.
Përmes një postimi, Gaçe u shpreh se është “bijë e popullit” dhe se nuk ka qenë kurrë pjesë e administratës shtetërore, nuk ka përfituar tendera dhe nuk ka marrë pjesë në fushata elektorale.
“Jam person publik, por privat. Nuk kam punuar kurrë në shtet, nuk marr rrogë nga taksat e qytetarëve, nuk kam marrë kurrë tender dhe nuk kam pranuar të jem pjesë e fushatave elektorale”, shkroi ajo.
Artistja theksoi se qëndrimet e saj janë të dukshme në çdo postim dhe se edhe vetë ka marrë pjesë në protesta, ndërsa kritikoi përdorimin e fotografisë së saj për ta kthyer, sipas saj, në “tabelë qitjeje”.
“Të marrësh foton e dikujt e ta bësh tabelë qitjeje për qëllimet e tua, që dyshoj se janë të pastra, është e papranueshme”, përfundon reagimi i këngëtares.






