
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se do të udhëtojë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës edhe përpara se të rikthehet në postin e kryeministrit, duke theksuar se një vizitë e tillë mund të realizohet në momentin e duhur.
Gjatë një komunikimi me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha u pyet se kur planifikon të vizitojë SHBA-në.
“Nuk them se do të shkoj vetëm pasi të fitojmë zgjedhjet, si kryeministër. Do të shkoj edhe më parë, natyrisht në momentin e përshtatshëm. Unë jam në opozitë dhe mund të shkoj për të marrë pjesë në një konferencë”, u shpreh ai.
Në të njëjtin komunikim, Berisha rikonfirmoi mbështetjen e tij për protestën qytetare dhe u bëri thirrje demokratëve, por edhe të gjithë shqiptarëve, brenda dhe jashtë vendit, që t’i bashkohen asaj.
“Thirrja ime është për çdo demokrat e demokrate, për çdo shqiptar, kudo që ndodhet, në Shqipëri apo në diasporë, që të mbështesë protestën e të rinjve shqiptarë si shpresa më e bukur për Shqipërinë dhe të ardhmen e saj”, tha kreu i PD.
Berisha akuzoi gjithashtu kryeministrin Edi Rama për mënyrën se si, sipas tij, po trajtohen protestuesit dhe komentoi rastin e shpalljes “non grata” të një protestueseje, duke pretenduar se Rama kishte marrë pjesë në një takim në Teheran me ish-presidentin iranian Mahmud Ahmadinexhad gjatë një aktiviteti të Internacionales Socialiste.
Po ashtu, ai kritikoi publikimin e dokumenteve që lidhen me ish-luftëtarë të UÇK-së, duke e cilësuar këtë si një veprim të papranueshëm ndaj atyre që luftuan për lirinë e Kosovës.






