Pak ditë para nisjes së Botërorit 2026 në SHBA, Kanada dhe Meksikë, ekspertët e BBC Sport kanë publikuar parashikimet e tyre për skuadrat favorite dhe surprizat e mundshme të turneut më të madh të futbollit.

Sipas shumicës së analistëve dhe ish-futbollistëve të intervistuar nga BBC, Franca konsiderohet skuadra me më shumë shanse për të ngritur trofeun më 19 korrik në finalen që do të zhvillohet pranë Nju Jorkut.

Alan Shearer vlerësoi potencialin e jashtëzakonshëm ofensiv të francezëve, por paralajmëroi se suksesi do të varet nga harmonia brenda grupit.

“Franca fiton vetëm nëse shmang konfliktet e brendshme. Ka aq shumë talent në sulm sa disa yje do të mbeten në stol në çdo ndeshje”, u shpreh Shearer.

Ish-sulmuesi i Francës, Olivier Giroud, renditi Francën dhe Spanjën si dy ekipet më të forta të turneut.

“Për mua dy skuadrat më të forta janë Franca dhe Spanja. Shpresoj që Franca ta fitojë trofeun”, deklaroi Giroud.

Nga 17 ekspertët e BBC që dhanë parashikimet e tyre, 9 zgjodhën Francën si kampione bote, ndërsa 7 besojnë se Anglia mund të triumfojë nën drejtimin e Thomas Tuchel. Vetëm Micah Richards parashikoi Spanjën si fituese.

Edhe superkompjuteri i Opta-s e sheh Spanjën si favorite statistike me 16.1% shanse për fitore, e ndjekur nga Franca me 13%, Anglia me 11.2% dhe Argjentina me 10.4%.

Ekspertët vlerësojnë gjithashtu se Brazili, Portugalia dhe Argjentina mbeten kandidatë seriozë për trofeun, ndërsa Maroku, Norvegjia, Japonia dhe Ekuadori përmenden si skuadra që mund të surprizojnë.

Sa i përket Anglisë, shumica e analistëve besojnë se “Tre Luanët” kanë potencial për të arritur të paktën në gjysmëfinale, falë cilësisë së skuadrës dhe eksperiencës së trajnerit Thomas Tuchel.

Ndërkohë, Skocia konsiderohet një nga ekipet që mund të kalojë fazën e grupeve, por me shanse minimale për të shkuar deri në fund të kompeticionit.

Botërori 2026 do të jetë edicioni më i madh në histori, me 48 kombëtare pjesëmarrëse dhe 104 ndeshje të zhvilluara në tre vende organizatore.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu