
Ish-luftëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Meçan Zotaj nga Mallakastra, ka lëshuar një paralajmërim të fortë gjatë protestave kundër qeverisë, duke deklaruar se lëvizja qytetare mund të përshkallëzohet nëse kryeministri Edi Rama nuk jep dorëheqjen.
Në fjalën e tij para protestuesve, Zotaj tha se kreu i qeverisë duhet të largohet nëse, sipas tij, e do vërtet Shqipërinë.
“Edi Rama e ka për detyrë, nëse me të vërtetë e do Shqipërinë, të japë dorëheqjen”, deklaroi ai.
View this post on Instagram
Më tej, ish-luftëtari i UÇK-së paralajmëroi se protesta mund të marrë një tjetër drejtim nëse kërkesat e qytetarëve vazhdojnë të injorohen.
“Përndryshe këto protesta qytetare do të eskalojnë, nuk do të jenë më kaq paqësore”, u shpreh Zotaj.
Organizatorët e protestave që prej ditësh po zhvillohen para Kryeministrisë kanë njoftuar se kanë dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve një draft me propozime për ndryshimin e Kodit Zgjedhor, duke e cilësuar këtë si një hap të rëndësishëm në përpjekjen për reformimin e sistemit politik.
Gjatë tubimit të radhës, aktivisti Edmond Gjata deklaroi se lëvizja qytetare synon të vendosë qytetarët në qendër të procesit zgjedhor dhe jo partitë politike.
“Kemi dorëzuar në KQZ një draft për ndryshime të kodit zgjedhor. Shqipëria e re fillon nga zgjedhje të lira dhe të ndershme. Këto zgjedhje në 35 vite janë bërë për partitë, jo për qytetarët”, u shpreh Gjata.
Sipas tij, drafti synon të krijojë rregulla të reja loje për zgjedhjet e ardhshme, duke rritur ndikimin e qytetarëve në përfaqësimin politik.
“Kodi i ri është kodi i qytetarëve, që shprehin interesat e tyre dhe jo të Edi Ramës. Veprimi qytetar, që përfaqëson interesat e tyre, do të këmbëngulë që në zgjedhjet e ardhshme të shkohet me rregulla të reja loje ku përparësi të kenë qytetarët”, deklaroi ai.
Në të njëjtën kohë, protestuesit vijuan thirrjet kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, ndërsa organizatorët paralajmëruan se mobilizimi do të vazhdojë edhe në ditët në vijim.
Një ditë më parë, mijëra protestues marshuan në rrugët e Tiranës dhe e përmbyllën tubimin në Sheshin Skënderbej me thirrjet “Rama ik” dhe “Nesër më shumë”. Paralelisht me protestat në terren, organizatorët pretendojnë se peticioni online “Rama Out” ka mbledhur rreth 1.5 milionë firma në mbështetje të kërkesës për largimin e kryeministrit.
Në fjalën e tij, Gjata ngriti akuza edhe për projektet zhvillimore të qeverisë, duke deklaruar: “Pas shitjes së Shën Naumit, Edi Rama guxon të shesë Sazanin”.
Lëvizja qytetare ka bërë të ditur se do të vijojë protestat dhe nismat e saj politike, duke kërkuar ndryshime në sistemin zgjedhor, transparencë dhe një proces që, sipas organizatorëve, garanton përfaqësim më të drejtë të qytetarëve.



