
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka sqaruar detaje lidhur me projektin e investimit prej 4 miliardë eurosh në Zvërnec, ndërsa ka komentuar edhe debatet dhe protestat e zhvilluara për këtë çështje.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla thekson se projekti “Zvërnec Peninsula” do të zhvillohet tërësisht në tokë private, duke nënvizuar se dokumentacioni përkatës vërteton ligjshmërinë e procesit.
Sipas Ballës, për secilën prej pesë parcelave ku parashikohet të zhvillohet projekti ekzistojnë marrëveshjet përkatëse për zhvillim dhe blerje, me një vlerë totale prej 225 milionë eurosh. Balla bëri të ditur se pronar i parcelave është shoqëria “Albania Land Development” sh.p.k., ndërsa transferimi i pronësisë është kryer në mënyrë të ligjshme pas verifikimeve nga institucionet kompetente.
Balla sqaron gjithashtu se “Zvërnec Peninsula” është një projekt zhvillimi multifunksional që përfshin hoteleri, shërbime dhe aktivitete rekreative, duke respektuar plotësisht natyrën dhe ekosistemin e zonës.
Duke komentuar pretendimet e ngritura në rrjetet sociale lidhur me investitorët e projektit, Balla thkeson se investimi po realizohet nga investitorë nga Katari dhe jo nga Izraeli.
“Investitori që ka dhënë 225 milionë dollarë ka garanci nga shteti shqiptar. Janë dy investitorë nga katari që kanë paguar lekët. Katari dhe Izraeli janë dy vende të ndryshme për shumë arsye, përfshirë edhe ato që lidhen me besimin”, u shpreh ai.
Më tej, Balla akuzoi atë që e cilësoi si një fushatë dezinformimi në rrjetet sociale, duke pretenduar se po shpërndahen imazhe dhe informacione të pavërteta që synojnë të dëmtojnë imazhin e Shqipërisë gjatë sezonit turistik.
Ai solli si shembull rastin e një ish-kryeministri rumun, i cili sipas Ballës kishte parë në rrjetet sociale fotografi të një proteste dhe kishte krijuar përshtypjen se ato ishin realizuar në Vlorë.
Sipas Ballës, përhapja e këtyre përmbajtjeve synon të krijojë perceptimin se Shqipëria nuk është një destinacion i sigurt për pushime këtë verë për shkak të protestave.
“Nuk ka asnjë dyshim që në kulmin e sezonit turistik po tentohet të shpërndahet mesazhi se Shqipëria nuk ia vlen të vizitohet këtë vit për shkak të protestave”, tha Balla.






