
Izraeli dhe Irani kanë njoftuar se kanë ndërprerë përkohësisht sulmet ndaj njëri-tjetrit, pas thirrjeve të presidentit amerikan Donald Trump për t’i dhënë një shans diplomacisë dhe negociatave për paqe.
Sipas raportimeve të Reuters, Izraeli vendosi të ndalojë goditjet ndaj Iranit pas kërkesës së Uashingtonit, ndërsa Teherani deklaroi se vala e sulmeve të tij ndaj objektivave izraelite ka përfunduar. Megjithatë, autoritetet iraniane paralajmëruan se do t’i rifillojnë sulmet nëse Izraeli vazhdon operacionet kundër Hezbollahut në Liban.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se lufta kundër Hezbollahut dhe Iranit “nuk ka përfunduar ende”, duke paralajmëruar se çdo sulm i ri ndaj Izraelit do të marrë një përgjigje të fortë.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump ka shtuar presionin ndaj qeverisë izraelite për të shmangur përshkallëzimin e konfliktit, duke theksuar se një marrëveshje me Iranin është më afër se kurrë.
Përplasjet e fundit nisën pasi Izraeli goditi objektiva iraniane, ndërsa Teherani u kundërpërgjigj me lëshimin e raketave drejt territorit izraelit. Tensionet ndikuan menjëherë edhe në tregjet ndërkombëtare, ku çmimi i naftës u rrit me mbi 5%, përpara se të zbriste pas njoftimeve për ndërprerjen e sulmeve.
Në të njëjtën kohë, Libani akuzon Izraelin se ka kryer mbi 3,400 sulme ajrore që nga armëpushimi i shpallur në muajin prill, duke mbajtur të ndezur frontin e konfliktit në rajon.



