
Protesta kundër projektit turistik në Zvërnec ka prodhuar edhe propozime politike. Gjatë tubimit para Kryeministrisë, një nga folëset hodhi idenë e krijimit të një force të re opozitare, duke argumentuar se opozita duhet të bashkohet në një front të vetëm përballë kryeministrit Edi Rama.
Sipas saj, në rast të dorëheqjes së Ramës dhe zhvillimit të zgjedhjeve të parakohshme, do të ishte momenti i duhur për krijimin e një alternative të re politike.
“Duhet të krijojmë një forcë të vetme opozitare. Mjaftojnë vetëm disa hapa: të mbahet një mbledhje themeluese, të dorëzohet kërkesa në Gjykatën e Tiranës dhe brenda 30 ditëve të miratohet”, u shpreh ajo para protestuesve.
View this post on Instagram
Deklarata ngjalli reagime dhe komente në rrjetet sociale, ku shumë përdorues ironizuan idenë e krijimit të një partie të re politike brenda pak javësh, ndërsa të tjerë e panë si një shenjë se protesta po merr gradualisht edhe ngjyrime politike.
Protesta kundër projektit në Zvërnec ka hyrë në ditët e saj më intensive, ndërsa krahas kundërshtimit të investimit, në podium po artikulohen gjithnjë e më shpesh kërkesa që lidhen me qeverisjen, zgjedhjet e parakohshme dhe organizimin politik të opozitës.






