Izraeli ka ndërmarrë sulme të reja ajrore ndaj periferisë jugore të Bejrutit, në sulmin e parë ndaj kryeqytetit libanez që nga armëpushimi i ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara javën e kaluar.

Sipas autoriteteve libaneze, dy persona humbën jetën dhe të paktën 17 të tjerë mbetën të plagosur pas goditjes së dy ndërtesave të banimit në zonën Dahieh, e njohur si bastion i Hezbollahut.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu deklaroi se sulmi kishte në shënjestër “seli terroriste në zonën Dahieh të Bejrutit”, si përgjigje ndaj lëshimit të raketave nga Libani drejt territorit izraelit. Deri tani, Hezbollahu nuk ka reaguar mbi akuzat.

Pamjet nga vendi i ngjarjes tregojnë dëme të mëdha në katet e poshtme të ndërtesave, ndërsa ekipet e emergjencës dhe banorët u angazhuan për nxjerrjen e të plagosurve nga rrënojat.

Ushtria izraelite deklaroi se kishte interceptuar dy predha që kishin hyrë në hapësirën ajrore të Izraelit nga Libani. Një zëdhënës ushtarak paralajmëroi se operacionet mund të vazhdojnë edhe më tej.

Nga ana tjetër, Irani reagoi ashpër ndaj sulmit. Zëdhënësi i Komisionit për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë Kombëtare në parlamentin iranian, Ebrahim Rezaie, premtoi një “përgjigje vendimtare dhe të dhimbshme” ndaj Izraelit.

Sulmi vjen vetëm pak ditë pas armëpushimit të shpallur më 3 qershor, i cili synonte uljen e tensioneve në rajon. Megjithatë, palët kanë akuzuar vazhdimisht njëra-tjetrën për shkelje të marrëveshjes.

Ndërkohë, Shtetet e Bashkuara po përpiqen të shmangin përshkallëzimin e konfliktit, pasi çdo destabilizim i situatës në Liban mund të ndikojë edhe në përpjekjet diplomatike për një marrëveshje më të gjerë me Iranin.

Konflikti u përshkallëzua në muajin mars, kur Hezbollahu nisi sulme me raketa ndaj Izraelit, duke çuar në një seri bombardimesh izraelite dhe operacione ushtarake në jug të Libanit.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu