
Komisioni Europian ka paralajmëruar Shqipërinë se projekti turistik i lidhur me Jared Kushner në zonën e mbrojtur Vjosë-Nartë mund të krijojë probleme në procesin e integrimit europian të vendit.
Sipas një deklarate të dhënë për Politico, Brukseli i ka kërkuar autoriteteve shqiptare të shmangin çdo veprim që mund të cenojë përmbushjen e kritereve për mbylljen e Kapitullit 27, i cili lidhet me mjedisin dhe ndryshimet klimatike.
“Shqipëria duhet të përmbahet nga veprime që mund të minojnë përmbushjen e kritereve për mbylljen e kapitullit dhe presim që autoritetet shqiptare të veprojnë pa vonesë”, deklaroi një zëdhënës i Komisionit Europian.
Sipas Komisionit, Shqipëria duhet të harmonizojë plotësisht legjislacionin e saj me standardet europiane në fushën e mjedisit, përfshirë Direktivën për Shpendët dhe Direktivën për Habitatet. Brukseli ka kërkuar gjithashtu shfuqizimin e ndryshimeve në ligjin për Zonat e Mbrojtura dhe përfundimin e skemës së Investimeve Strategjike.
Komisioni Europian bëri të ditur se ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj, ka informuar Brukselin se punimet për projektin janë pezulluar dhe se do të kryhet një vlerësim i ndikimit në mjedis në bashkëpunim me shoqërinë civile.
“Ne kemi shprehur tashmë shqetësimet tona ndaj ministrit të Mjedisit lidhur me mangësitë e mundshme të këtij projekti”, deklaroi përfaqësuesi i Komisionit.
Ndërkohë, protestat kundër projektit në Zvërnec dhe Vjosë-Nartë kanë vijuar për disa ditë radhazi, ndërsa organizatorët kërkojnë anulimin e projektit dhe mbrojtjen e zonës së mbrojtur.
Komisioni Europian konfirmoi gjithashtu se projekti është objekt i hetimeve të SPAK-ut, të cilat sipas tij shkojnë përtej çështjeve mjedisore dhe përfshijnë edhe aspekte të tjera të lidhura me procedurat dhe pronësinë.
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar më herët se projekti po merr vëmendje të shtuar për shkak të përfshirjes së Jared Kushner, duke argumentuar se në rrethana të tjera nuk do të kishte të njëjtin interes ndërkombëtar.
Shqipëria mbetet një nga vendet më të avancuara në procesin e zgjerimit të Bashkimit Europian, me objektivin e shpallur nga qeveria për anëtarësim deri në vitin 2030 dhe mbylljen e negociatave teknike deri në fund të vitit 2027.






